Shqipëria

Rama: Hashim Thaçi më mungon shumë, është vëllai im


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë inaugurimit të aeroportit të ri në Kukës, ka përshëndetur edhe ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Ky i fundit ndodhet në paraburgim në Hagë. Rama e konsideroi Thaçin si “vëlla” dhe i dërgoi përqafime.

“Dua të ndaj me ju faktin që më mungon shumë sot, dikush, më mungon dikush që unë e konsideroj një prej shqiptarëve më të mëdhenj. Më mungon shumë dikush që është një prej shqiptarëve më të mëdhenj, jo se është vëllai im, por është vëllai im sepse është një prej shqiptarëve më të mëdhenj, që është Hashim Thaçi. Nuk e di prej këtu a më ndjek, por do të doja t’i çoja një përqafim”.

Rama gjithashtu bëri me dije se në muret e aeroportit gjendet një moment shumë i rëndësishëm i historisë shqiptare, ai kur Hashim Thaçi dhe Ibrahim Rugova nisën procesin e çlirimit të Kosovës.

“Do doja t’i çoja një përqafim dhe t’i thoja se në muret e këtij aeroporti gjendet dhe një moment i jashtëzakonshëm i historisë shqiptare, kur Hashim Thaçi e Ibrahim Rugova së bashku i hapën rrugë procesit pa kthim çlirimit të Kosovës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore