Lajme

Rama: Fituam 5 nga 6 bashkitë – me një fushatë pa i ndezur motorët e qendrës


“Zgjedhjet e djeshme i dhanë Partisë Socialiste (PS) as më shumë e as më pak se sa prisnim”.

Ky ka qenë reagimi i kreut të PS-së, Edi Rama, pas fitores së katër bashkive nga kandidatët përkatës socialistë, ndërsa pritet dhe përfundimi i numërimit të kutive në Durrës, ku ata kryesojnë.

“Pesë nga gjashtë bashkitë në garë – me një fushatë pa i ndezur motorët e qendrës dhe me një hendek votash nga rivalët edhe më të madh se sa tregonin projeksionet tona”, shkruan Rama në median sociale Facebook.

Ai ka shprehur urimet për fituesit dhe falënderoi të gjithë ata që u angazhuan për këtë rezultat.

“Mbi të gjitha faleminderit zgjedhësve, të cilët dje ushtruan pushtetin e tyre vendimmarrës në interes të komunitetit”, vijoi Rama.

Por, nga ana tjetër, Kryeministri i Shqipërisë nuk la pa përmendur situatën në Ukrainë, ku ka 12 ditë që po u reziston bombardimeve ruse.

“Thënë kjo, nuk rri dot pa shtuar sot se ajo që po ndodh në më pak se dy orë vijë ajrore nga Shqipëria, e bën të pamundur shijen legjitime të kësaj fitoreje”, u shpreh ai.

Rama ka bërë një paralelizëm me armikun e padukshëm, që u përball bota dy vite më parë, duke thënë se situata në Ukrainë nuk do të jetë e përkohshme dhe do të prekë tregjet globale.

“Sa hap e mbyll sytë, bota ku jetonim ka rindryshuar përsëri. Por, ndryshe nga ndryshimi i përkohshëm që na ka imponuar pandemia, ky rindryshim duket se nuk do të jetë aq i përkohshëm. Lufta po vret e po shkatërron në Ukrainë, por po i fut kthetrat e ndikimit të saj kudo, në tregjet e mëdha e të vogla, ku jeta e përditshme po shtrenjtohet orë e minutë nën bombat e pasigurisë që lufta mbjell kudo”.

Ndërkohë, duke u rikthyer te fitorja e zgjedhjeve të pjesshme, Rama theksoi se puna e tyre është në mirëqeverisjen e këtyre bashkive.

“Ne kemi fituar Dibrën, Durrësin, Lushnjën, Vorën e Rrogozhinën, me rezultate përtej parashikimeve më optimiste! Por sot lartësia e sfidës është ku e ku më shumë marramendëse, se sa mirëqeverisja e këtyre bashkive dhe se sa të gjitha sfidat qeverisëse deri fare pak ditë më parë”.

Ai e përmbylli me një mesazh të qartë: “Ia dolëm me tërmetin dhe me pandeminë, e gabimisht menduam se më e keqja kaloi. Kjo që sapo na ka dalë përpara është më e keqja fare. Duhet me se s’bën t’ia dalim edhe kësaj. Të bashkuar, jo të ndarë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore