Shqipëria

Rama fillon vizitën zyrtare në Japoni, takohet me përfaqësues të biznesit


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka lajmëruar fillimin e vizitës zyrtare në Japoni, e cila nisi me takimin me Agjencinë Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar.

Kreu i Qeverisë bëri me dije se gjatë takimit u diskutuan një sërë projektesh me rëndësi.

Ai është takuar me zëvendës presidentin e Agjencisë Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Junichi Yamada.

Një figurë kryesore ky i fundit, i zhvillimit të raporteve ndërlidhëse sa i përket fushave të ndryshme të biznesit japonez në vendet e huaja.

Mbyllja e ditës së parë, do të jetë një darkë pune e organizuar nga Kryetari i Kuvendit të Japonisë, Hiroyuki Hosoda, i cili është edhe figura shtetërore e dytë më e lartë, të cilin kryeministri shqiptar do të takojë.

Kujtojmë që, Rama do të zhvillojë një vizitë zyrtare pesë-ditore në Japoni, me fillim më 21 shkurt dhe përmbyllje më 25 shkurt.

Kjo, në kuadër të 42-vjetorit të vendosjes zyrtare të Marrëdhënieve Diplomatike mes dy vendeve.

Albanian Post, ka zbardhur edhe agjendën e plotë të vizitës së kreut të Qeverisë, e cila kulmon me takimin që Rama do të ketë me kryeministrin japonez, Fumio Kishida, në ditën e dytë të qëndrimit në Tokyo.

Më 22 shkurt, dita do të nisë me takimin e zhvilluar mes delegacionit dhe kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Japoneze, Akio Mimura. Një tjetër figurë shumë me rëndësi, sa i takon zhvillimit të raporteve të biznesit japonez me shtetet e huaja.

Takimi i parë bilateral me homologun Kishida, do të ngjajë më 22 shkurt, në orën 18:15. Ndërsa, darka, është e rezervuar për një takim kokë më kokë, mes dy kryeministrave.

E enjtja e 23 shkurtit do të jetë një mundësi për të vizituar qytetin e Tokyo-s, ku takime do të ketë edhe me komunitetin shqiptar atje.

Ndërsa, darka, do të jetë e organizuar nga Minoru Kiuchi, Kryetar i Grupit Parlamentar të Miqësisë Japoneze-Shqiptare.

Të premten e 24 shkurtit, kryeministri do të udhëtojë drejt qytetit të Hiroshimës, ku do të pritet nga kryetari i bashkisë, Kazumi Matsui, i cili do ta shoqërojë gjatë një vizite në Muzeun Përkujtimor të Paqes, i ngritur pas lëshimit të bombës bërthamore amerikane në Hiroshima dhe e pasuar më pas nga një tjetër në Nagasaki.

Më pas, të shtunën e 25 shkurtit, do të organizohet edhe kthimi për në Shqipëri, duke e përmbyllur tërësisht vizitën zyrtare pesë-ditore në lindjen e largët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore