Shqipëria

Rama: Evropa s’po ndryshon edhe pas luftës në Ukrainë


Evropa nuk duket se po ndryshon shumë edhe pas nisjes së luftës në Ukrainë. Ka solidaritet, por më shumë, duket si inerci se sa si ndryshim.

Kështu mendon kryeministri shqiptar, Edi Rama, i cili në mungesë thuajse të plotë optimizmi, ka theksuar se nuk sheh ndonjë ndryshim qasjeje nga ana e Evropës si superfuqi botërore nën siglën e Bashkimit Evropian.

Këtë mendim, kreu i Qeverisë e ka shprehur gjatë Forumit Ekonomik Alpbach në Austri, me temë “Zgjerimi gjeopolitik i BE-së”.

Më tej, kreu i Qeverisë foli edhe mbi veprimin e vendeve të unionit karshi Rusisë pas agresionit në Ukrainë.

Mirëpo, aksioni evropian, më shumë ka mbetur në atë reagues, se sa në atë proaktiv.

Pra, në këtë rast, përgjigja që vjen nga Bashkimi Evropian, ajo e sanksioneve ndaj Kremlinit, është pasvepruese, por nuk sjell gjë konkrete veçse përgjigjes.

Në këtë premisë, shembulli që i vjen për shtat asaj çfarë kryeministri artikulon, është rasti i Kosovës dhe vizave.

Kur Kosova ishte pjesë e Serbisë në aspektin administrativ-territorial, qytetarët e Kosovës kanë qenë të lirë të udhëtonin pa viza në Evropë. Mirëpo, tashmë që janë shtet i pavarur, ata janë të izoluar, sepse janë nën regjimin e vizave.

Sa i përket integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE, Rama sërish ka theksuar se Shqipëria dhe të pesë vendet e tjera, të cilat e përbëjnë Ballkanin Perëndimor, janë Evropë dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim.

Qëllimi i të gjithëve sipas kryeministrit është që rajoni të bashkohet në bashkësinë evropiane. Megjithatë, duhet më shumë shtytje edhe nga vetë unioni për këtë proces.

Në të kundërt, rrezikohet hyrja e Rusisë dhe Kinës në rajon dhe fushata dezinformimi publik janë ndërmarrë tashmë në çdo vend të rajonit.

Përtej këtyre, sërish, shpresa e kreut të ekzekutivit shqiptar është e ulët që gjërat të ndryshojnë – të paktën shpejt – në BE.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore