Shqipëria

Rama: Dy vite nga fatkeqësia marramendëse – sot jemi ngritur më të fortë


Përmes një statusi në Facebook, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përkujtuar dy-vjetorin e tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit të vitit 2019, duke deklaruar se “sot jemi ngritur më të fortë”.

“Tragjeditë sprovojnë njerëzit”, shkruan Rama, “popujt, shtetet dhe dy vjet nga fatkeqësia marramendëse e tërmetit, duke kujtuar humbjet, plagët, dhimbjet e duke parë çka mundëm të bëjmë deri këtu”.

Për kryeministrin “mund të themi pa ndroje se sot jemi ngritur më të fortë e po ashtu mund të marrim frymë të lehtësuar”.

Kjo, për faktin se “mijëra familje të goditura prej asaj fatkeqësie sot janë më mirë se sa përpara goditjes prej saj”.

Rama ka kujtuar me dhimbje familjet që humbën njerëz të dashur. Numri një i qeverisë shqiptare shprehet ndër të tjera se mbetet mirënjohës pa fund për të gjithë ata që dhanë ndihmën e parë.

Kryeministri përmend dhe ata që u solidarizuan nga të katër anët e vendit dhe të botës me të goditurit nga fatkeqësia.

Këta të fundit, sipas tij, punuan e punojnë pa pushim “për të kthyer deri familjen e fundit në shtëpi më të mirë, më të fortë, më të bukur”.

Ndërtimi i ngjarjes

Ora shënonte 03:54, kur një sizmë rreth 50 sekondëshe me magnitudë 6.4 e shkallës Rihter, shkundi Shqipërinë qendrore-perëndimore, në një ngjarje që do të shënjohej e rrënjosej në kujtesën kolektive të shqiptarëve, 26 nëntorin e vitit 2019.

Tirana, Durrësi, Lezha, Laçi, Kurbini e mbi të gjitha Thumana, do të vuanin goditjen fizike dhe psikologjike, të një tërmeti që prej dekadash nuk shihej në Shqipëri.

Pas orëve të para të pas-efektshme të lëkundjeve, situata filloi të qartësohej, me jetët e humbura në shtim.

Në bilancin përfundimtar, ishin 51, ato të humbura. Të plagosur, rreth 3 mijë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore