Shqipëria

Rama: Do të eleminojmë procedurat e dyfishta në të gjithë sektorët


Në fjalën e tij para medias, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi fillimisht pas përfundimit të takimit mes qeverive dhe nënshkrimit të marrëveshjeve – se duhen eleminuar procedurat e dyfishta në të gjithë sektorët.

Duke iu kthyer fjalës së mëparshme, kryeministri ravijëzoi se palët firmosën një sërë marrëveshjesh konkrete.

Rama përmendi menjëherë fillimin e punës për vizibilitetin e hekurudhës Durrës-Prishtinë.

“Të dyja qeveritë kanë caktuar një fond, të dyja ministritë kanë organizuar punët”, u shpreh kryeministri lidhur me një plan që sipas tij është një ëndërr e kahershme.

Numri një i qeverisë shqiptare u ndal edhe te bashkëpunimi doganor, që ishte një kërkesë legjitime e kahmotshme e investuesve.

“Vendet tona do të kenë përfitimin e tyre, nga kjo marrëveshje”, cilësoi Rama gjatë fjalës së tij.

Lidhur me eleminimin e procedurave, kryeministri përmendi krijimin e një manuali të përbashkët të ri të procedurave standarde në dogana.

“Regjim i ri doganor në kufi do të vendoset duke patur parasysh domosdoshmërinë nga krijimi i radhëve”, tha më tej Rama.

Kryeministri shtoi se ministrat ndërkaq po punojnë për një sistem alternativ të monitorimit me kamera për të shmangur kontrollet fizike.

Objektivi i përbashkët, sipas Ramës, mbetet edhe shtrirja e rrjetin të shërbimeve të përbashkëta konsullore – shembulli i Milanos dhe Mynihut.

Sa i takon Sekretariatit, që ishte marrëveshja që u firmos e para mes qeverive, kryeministri nënvizoi se do të ndjekë angazhimin e të dyja qeverive.

“Sekretariati koordinues bashkëpunon ngushtësisht dhe koordinon aktivitetin institucional të të dyja palëve jo vetëm në nivelin ministror, por edhe në nivelin e organizatave apo shoqatave që kanë ndërveprim të angazhuar mes dy vendeve”.

I pyetur nga gazetarët në lidhje me nismën ‘Open Balkan’, Rama shtoi se asgjë nuk ka ndryshuar nga deklarata që ai ka bërë gjatë Samitit të Beogradit.

Kryeministri shqiptar solli shembullin e flamurit kuq e zi dhe simbolikën e shqiponjës.

“Njëra kokë sheh nga njëra anë – një kokë në anën tjetër, por të dyja i mban drejt një trup i vetëm”, përshkroi Rama qasjet e ndryshme me homologun Kurti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore