Shqipëria

Rama dhe Shqipëria fillojnë negociatat jo RMV-ja, thotë Mickoski


Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, deklaroi se me pranimin e propozimit francez Shqipëria fillon negociatat (me BE-në – AP) dhe jo Maqedonia e Veriut.

Lajmi u bë i ditur nga transmetuesi vendas TV21.

“Ne nuk do të fillojmë tani negociatat, këtë duhet ta dinë patjetër qytetarët. Shqipëria do të fillojë, jo ne. Shqipëria po, por jo ne. Ne duhet ta ndryshojmë Kushtetutën. Në këtë e nënshkruajmë që Shqipëria të nisë negociatat dhe jo Maqedonia e Veriut”, theksoi fillimisht kryeopozitari.

Ai bëri thirrje sakaq për protesta masive para qeverisë kundër propozimit francez.

“Nuk kam asgjë kundër shqiptarëve, le të fillojnë. Nëse Komisioni Evropian ka vlerësuar se vendi i Edi Ramës është aty, ndërsa vendi i Maqedonisë nuk është aty, ky është vendim i Komisionit, nuk përzihem”, shtoi Mickoski.

Reagimet

Gabim i madh nëse Maqedonia e Veriut nuk do të pranojë propozimin e presidentit francez, Emmanuel Macron.

Kështu deklaroi më herët kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një interviste për “Kanal 5”.

Nga atje, Rama apeloi që drejtuesit e Maqedonisë së Veriut ta pranojnë propozimin, të cilin e cilësoi si “mundësia e hapjes së rrugës së integrimit”.

“E kam ndjekur në vijimësi të gjithë punën e madhe që është bërë veçanërisht në Madrid për t’u dhënë zgjidhje shqetësimeve të Maqedonisë së Veriut dhe mund t’ju them që Presidenti Macron ka ushtruar të gjithë influencën e tij duke punuar 48 orë pa pushim, natë e ditë”, u shpreh Rama.

Kryeministri shpjegoi se nuk po ia kërkon këtë Maqedonisë së Veriut për “të shpëtuar Shqipërinë”, porse kjo është e duhura.

“Shqipëria tani e ka kapërcyer pikën ku mund të ecë vetëm dhe sigurisht ne do të kërkojmë të ecim të ndarë nëse Maqedonia e Veriut nuk do ta pranojë, por po them do e pranojë sepse nuk do ketë një propozim tjetër, është përfundimtari, dhe ju nuk keni pse të rrini dhe 17 vite të tjera përballë asaj dere”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore