Shqipëria

Rama-Ahmetaj prezantojnë buxhetin e rindërtimit 2021


Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë

Është prezantuar buxheti për rindërtimin 2021, nga kryeministri, Edi Rama, dhe ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj. Përtej buxhetit, janë trajtuar dhe çështjet e taksimit, aeroportit, dhe kandidimit të kryeministrit në zgjedhjet parlamentare të prillit.

Buxheti tërësor i rindërtimit, do të jetë 30 miliardë lekë. Sipas ndarjes së zërave, grantet për rikonstruksionin dhe rindërtimit zënë vendin më të madh. Për banesat e reja që do të ndërtohen, shkojnë 6.8 miliardë lekë.

Vend të rëndësishëm zë dhe buxheti për objektet arsimore. Janë 6 miliardë lekë që shkojnë për shkollat dhe çerdhet që do të rikonstruktohen. Infrastruktura dhe hartimi i projekteve do të kenë respektivisht 1.9 miliardë dhe 1.4 miliardë lekë.

Pavarësisht faktit se gjendemi në pandemi, në krahasim me buxhetin e 2020-ës, nuk ka ulje.

Janë mbi 13 mijë familje që do të marrin bonus qiraje, për shkak të dëmtimit të banesave nga tërmeti i 26 nëntorit. Numri i atyre në çadra ndërkohë, është ulur ndjeshëm.

Pyetje ka pasur edhe mbi çështjen e taksimit në Shqipëri.

“Taksa jonë është progresive dhe ka dhënë rezultat qoftë në aspektin moral, qoftë ekonomik”, deklaroi kryeministri. Nuk do të ketë fushatë elektorale me çështjen e taksave ndërkohë sipas tij. Mbi akuzat për taksimin 23% ndaj të ardhurave mbi 150 mijë lekë, Rama theksoi se “vetëm për ata që kanë rroga mbi 400 mijë lekë është ky taksim”.

Gjithsesi, kreu i qeverisë ka lënë të hapur mundësinë për një rivlerësim të progresionit. “Jemi të vetëdijshëm që duhet të bëjmë një rishikim për të ardhurat personale”.

Çështja e Durrësit dhe çmimet e fluturimeve nga Rinasi

Kryeministri shpjegoi borxhin që i detyrohet Durrësit. “Në kushtet kur Vlora ka përparuar, Durrësi është lënë pas dore. Ky është borxhi që kam ndaj durrsakëve”, cilësoi Rama.

Ai shtoi se qyteti bregdetar, ka potencialin për të qenë motori kryesor i ekonomisë shqiptare. “Me transformimin e portit aktual të Durrësit në një port turistik dhe ndërtimin e portit tregtar të Durrësit, qyteti do të jetë një gjenerator punësimi”.

Një çështje me rëndësi, është edhe ajo e aeroportit të Rinasit. Çmimet e fluturimeve nga Shqipëria, janë komentuar gjithnjë si të larta.

“Qytetarët do të udhëtojnë 25% më lirë. Kemi kaluar nga pronësia kineze, në pronësi shqiptare. Investimet do të fillojnë menjëherë në aeroport”, bëri me dije Rama.

Kreu i qeverisë nuk ka kursyer batutat për kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ku ka thënë me nënqeshje se është “Basha, i cili e ka çuar për skrap Lëvizjen Socialiste për Integrim”.

Përsa i përket replikave të Ramës me përfaqësues të vendeve të Bashkimit Evropian, kryeministri i quajti fajtore mediat shqiptare, si “përgojuese që nxjerrin llafe të zeza për Qeverinë, rrugëve të botës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore