Shqipëria

Rama: Merr fund “ferri” për 5 gra dhe 14 fëmijë në kampin Al-Hol


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në praninë e gjeneralit Abass Ibrahim

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka mbërritur në Liban të shtunën e 31 korrikut, për operacionin e shpëtimit të 5 grave shqiptare dhe 14 fëmijëve të tyre. Ai shkruan se familjet shqiptare do të largohen “nga kampi i ferrit në Al-Hol” për t’u riatdhesuar në Atdhe.

“5 gra dhe 14 fëmijë shqiptarë nga kampet e vdekjes në Siri, nesër në Shqipëri, falë një operacioni të gjatë e të ndërlikuar inteligjence në terren dhe ndihmës së paçmueshme të gjeneralit Abass Ibrahim”, shkruan Rama në statusin e tij.

Më herët, gazetari dhe korrespondenti kurd i agjencisë amerikane “NBC News”, Mahmoud Shikhibra ka publikuar në Twitter një lajm pozitiv, për riatdhesimin e disa familjeve që qëndronin në kampet e ISIS-it, Roj në Siri.

“Departamenti i Jashtëm në Administratën Autonome njoftoi se ata do i dorëzojnë disa familje të ISIS-it, qeverisë shqiptare”, shkruhet në statusin e tij.

Kampi Roj, në verilindje të Sirisë, në të cilin jetojnë mbi 2 mijë e 500 njerëz, ku mbi gjysma e tyre janë fëmijë, u krijua për herë të parë në vitin 2014 për të mirëpritur familjet që iknin nga Iraku. Ndërsa dhuna u përshkallëzua në zonat në të gjithë Sirinë, kampi filloi të priste familjet siriane të zhvendosura nga konflikti.

Të paktën 130 fëmijë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë 40 prej tyre nga Shqipëria, janë ende duke qëndruar në kampe refugjatësh në Siri. Këto kampe u ngritën pas rënies së Shtetit Islamik (IS).

Në raporte tregohet se midis 130 fëmijëve që vijnë nga Ballkani Perëndimor, rreth 70 janë shtetas të Bosnje dhe Hercegovinës. Ata janë nga rastet që shkuan atje prej prindërve e tyre që ishin bashkuar me ISIS.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka informacione se rreth 20 fëmijë janë duke pritur në kampet e refugjatëve për riatdhesim. Ndërsa Mali i Zi ka informacione për dy fëmijë malazezë që ndodhen në një situatë të ngjashme.

Rrjeti gjithashtu vlerësoi se ka të paktën 20 shtetas serbë të lidhur me ISIS aktualisht në kampet e refugjatëve sirianë pavarësisht se një informacioni i tillë nuk vihet në dispozicion.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore