Shqipëria

Rama: 1.170 dozat e para nga Pfizer mbërrijnë në Shqipëri


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Ka mbërritur porosia e parë nga porosia e vaksinave të kompanisë Pfizer në Shqipëri. Janë 1 mijë e 170 doza që janë vënë në dispozicion të qeverisë shqiptare me këtë dërgesë.

Kryeministri, Edi Rama, ka përcjellë me qytetarët ardhjen e vaksinave nëpërmjet medias sociale Facebook. “Kjo është një luftë politike e jashtëzakonshme”, cilësoi Rama. “Ja kemi dalë të mbetemi në rrethin vicioz të mekanizmave të Covax-it. Ai është vetëm një proces, nuk duket se ku e ka fillimin. Gjithsesi, jemi në kontakt të vazhdueshëm”.

Dy shtetet e vetme ballkanike që kanë marrë vaksina në rrugë private janë Shqipëria dhe Serbia. “E kemi garantuar këtë, falë faktit që nuk e lamë veten në dorë të të tjerëve”, theksoi kryeministri.

Përsa i përket dozave të premtuara nga Pfizer-i, Rama ka theksuar se do të vijnë brenda muajit. Janë mbi 40 mijë doza të porositura nga shteti shqiptar për shkurtin. Kjo do të përmbyllë valën e parë të vaksinimeve.

Situata mbetet dinamike dhe mund të ndryshojë. Pandemia po sjell një luftë midis shteteve për vaksinat, duke shkaktuar vonesa. Përtej vonesës kohore, ka dhe një reduktim të dozave të ardhura. Janë 10-fish më pak nga sa pritej.

Shqipëria nuk do të mund të ndihmojë Kosovën me vaksina

Kryeministri ka bërë me dije se, momentalisht, është e pamundur që Shqipëria të ndihmojë Kosovën drejtpërdrejtë me vaksina. “Për shkak të rregullave të forta të vendosura nga Pfizer-i, nuk mund të ndihmojmë asnjë shtet me vaksina”.

Gjithsesi, 50 mjekë kosovarë do të vijnë të vaksinohen në Tiranë. Ky sipas Ramës, është një premtim i mbajtur për sistemin shëndetësor të vendit fqinj. Do të ketë një rakordim midis Ministrive të Shëndetësisë për detaje të mëtejshme.

Burime fillestare nënvizuan faktin se mjekët Kosovarë të vaksinuar me dozat shqiptare, do të ishin rreth 1 mijë e 900. Kjo nuk do të bëhet e mundur menjëherë për shkak se vaksina nuk mund të udhëtojë drejt Kosovës. Duhet parë nëse do të ketë një plan për vaksinim të mëtejshëm të mjekëve Kosovarë.

Sytë e Shqipërisë janë vetëm nga perëndimi

Përsa i përket vaksinave lindore, si ajo ruse apo kineze, Rama ka cilësuar se “vetëm nëse BE-ja do të rishohë qasjet ndaj tyre, Shqipëria do të marrë hapa për t’i siguruar”. “Jemi në të njëjtin drejtim me politikat që ndjek BE-ja”, shtoi ai.

Ndërkohë, nuk ka asnjë motivim shkencor apo të ndonjë natyre tjetër lidhur me vaksinat “lindore”.

Kryeministri njoftoi gjithashtu se qeveria është shumë afër finalizimit të një marrëveshjeje me kompaninë britanike AstraZeneca. Së shpejti, do të ketë një sasi dozash edhe nga kjo kompani.

Me Pfizer-in ndërkohë, është duke u diskutuar edhe për fazat e tjera gjatë muajve prill-qershor. Gjithçka mbetet fleksible gjithsesi. Rama sqaroi se Shqipëria kishte mundësi të kërkonte më shumë, por “ne nuk luajmë as damë as kumar, ne luajmë shah”.

Përsa i përket gjyqeve që disa shtete kanë paralajmëruar ndaj Pfizer-it, Rama deklaroi se Shqipëria nuk e ka këtë qëllim.

“Nuk do të marrim asnjë masë apo hap kundër kompanisë Pfizer”, sqaroi kryeministri. Sipas Ramës, kompania amerikane meriton vetëm mirënjohje. “Asnjë pikë e kontratës, nuk është shkelur. Aty parashikohet se mund të ketë vonesa”.

“Vonesa mund të ketë, por mund të ketë edhe porosi të ardhura përpara kohe”. Gjithçka do të varet nga dinamikat e situatës.

Një fjalë të shkurtër mbajti edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Ajo ka përditësuar se 650 mjekë shqiptarë janë vaksinuar deri tani. Është pohuar nga ajo se 10 pika vaksinimi janë aktive në Tiranë. Dy të tjera ndërkohë, njëra në Vlorë dhe tjetra në Shkodër, pritet të hapen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore