Lajme

Rakiç vazhdon të akuzojë Kosovën për sulme ndaj serbëve, kësaj here te misioni i skaduar i UNMIK-ut


Shefja e misionit të UNMIK-ut, Karoline Zijade dhe Ministri për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiç

Ministri serb për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiç, ka takuar shefen e misionit të skaduar të UNMIK-ut në Kosovë, Karolin Zijade, te e cila ka shprehur akuza ndaj Kosovës për gjoja sulme të vazhdueshme ndaj serbëve dhe objekteve kishtare nga shqiptarët.

Rakiç, njëherit edhe kryetar i Listës Serbe, parti kjo nën patronazhin e SNS-së së Aleksandër Vuçiç, bashkëbisedueses së saj u tha se “komuniteti serb është i kërcënuar”.

“Jetojmë në kohëra sfiduese në të cilat duhet të gjithë të tregojmë seriozitet maksimal në mënyrë që të ndikojmë në situatën e sigurisë e cila në rend të parë është e pasigurt, dhe të mënjanojmë gjithçka që mund ta kërcënojë atë”.

“Ne bëjmë përpjekje maksimale të zgjidhim të gjitha mosmarrëveshjet në atë mënyrë që të dyja palët të pajtohen, dhe për këtë gjë na duhet mirëkuptimi i të gjithë faktorëve relevantë”, ka thënë Goran Rakiç, në një njoftim të publikuar për media.

Edhe të hënën partia që udhëheq Goran Rakiç, Lista Serbe, e cila njëherit është edhe pjesë e qeverisë së Kosovës, ka përdorur fjalë të ashpra ndaj autoriteteve të Kosovës, pasi ministri i brendshëm Xhelal Sveçla tregoi që nënkryetari i kësaj partie, Milan Radoiçiç, është në arrati dhe në momentin që kapet do të nxjerrët para drejtësisë.

Rakiç, kishte përdorur edhe shprehje të papranueshme duke e krahasuar sundimin e ligjit dhe rendit kosovar, si ajo e luftës kundër krimit, korrupsionit dhe kontrabandës në Veri të vendit, si “Natë e Kristaltë”, duke iu referuar ngjarjeve naziste të shfarosjes së hebrenjve. Për një gjë të tillë i menjëhershëm kishte qenë reagimi i ambasadorit gjerman në Prishtinë, duke e dënuar shprehjen e ministrit serb.

Megjithatë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ende nuk i ka reaguar në asnjë gjë ministrit të tij, Goran Rakiç, e lëre më ta shkarkojë.

Si lider i opozitës së atëhershme, Kurti kishte organizuar edhe protesta masive për të kërkuar shkarkimin e ish-ministrit të atëhershëm serb, Aleksandër Jabllanoviç, i cili kishte ofenduar nënat gjakovare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore