Kosova

Rakiç: Serbët e Kosovës duan referendum, fytyrën e vërtetë të BE-së e shohim të dielën


Kryetari i Listës Serbe (LS), Goran Rakiç pas takimit me presidentin serb, Aleksander Vuçiç, ka thënë se të dielën e 16 janarit do të kuptohet se a do e mbajë Bashkimi Evropian (BE) premtimin e dhënë duke lënë të kuptohet se BE i ka premtuar Beogradit se do të ju mundësohet serbëve në Kosovë të mbajnë referendumin për ndryshimet kushtetuese në Serbi.

Ai ka thënë se ende kanë shpresë në BE-në.

“Ne shpresojmë dhe besojmë ende në BE, nuk duam të humbasim besimin. Do të shohim të dielën nëse do ta përmbushë premtimin e saj”, ka thënë Rakiç.

Tutje ai ka thënë se serbët që jetojnë në Kosovë duan të deklarohen përmes referendumit dhe se për këtë “kërkojnë të drejtat elementare, të cilat i kanë të gjithë – t’u mundësohet të shkojnë në të”, përcjell Tanjug.

“Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë se rregullat që kanë shqiptarët. Zgjedhjet le të bëhen si më parë. Me ndërmjetësimin e EULEX-it dhe OSBE-së, ata ishin ndërmjetës dhe tani i ftojmë që të përfshihen në të gjitha këto, dhe të dielën të hapen vendvotimet”, ka thënë Rakiç, përcjell Danas.

Rakiç ka deklaruar se në takim me presidentin Vuçiç, ka thënë se ka zgjatur takimi për shkak se temat kanë qenë serioze dhe kanë të bëjnë me serbët në Kosovë dhe siç ka shtuar tutje ai “më e rëndësishmja është sigurisht referendumi i ardhshëm”.

Ndërsa Qeveria e Republikës së Kosovës, ka lejuar komunitetin serb në Kosovë të votojnë përmes postës ose Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në vend për referendumin e organizuar nga Serbia, por jo edhe të organizohet votim brenda territorit, për shkak se është shkelje e sovranitetit të shtetit të Kosovës.

Pas zhvillimeve të fundit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar një seancë të jashtëzakonshme lidhur me referendumin.

Nga ana tjetër vendet e QUINT-it kanë kërkuar nga kryeministri Kurti që të lejohet të mbahet referendumi edhe në territorin e Kosovës të cilin do ta menaxhoj OSBE.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore