Lajme

Rakiç goditet me shishe nga protestuesit, e quajnë tradhtar


Foto/Radio Evropa e Lire

Protestuesit serbë që po qëndrojnë para ndërtesës së Komunës së Zveçanit në pjesën veriore të Kosovës e kanë goditur me një shishe boshe, kryetarin e Listës Serbe – forcës më të madhe politike të serbëve të Kosovës – Goran Rakiç.

Ajo që raportohet nga gazetarët në vendin e ngjarjes është se Rakiç kërkoi nga protestuesit serbë që të lëvizin dhe të lirojnë rrugën në mënyrë që të kalojnë dy automjete të njësisë speciale të Policisë së Kosovës. Por, protestuesit refuzuan, derisa filluan të brohorasin “tradhti”.

Protestuesit para Komunës së Zveçanit, kanë vendosur një flamur të Serbisë në një autoblindë të njësiteve elitare të Policisë së Kosovës, ndërsa në një tjetër kanë shkruar me sprej të bardhë katër shkronja cirilike “S (С)”, që do të thotë “Vetëm uniteti i shpëton serbët”.

Gjithashtu, protestuesit janë dëgjuar duke thirrur “kjo është Serbi”.

Lista Serbe – parti politike që dirigjohet nga Beogradi – është duke u përpjekur për të negociuar me KFOR-in dhe po kërkon që kryetarët e rinj të mos hyjnë në objektet komunale. Gjithashtu, kërkesë e saj është edhe që Policia e Kosovës t’i tërheqë njësitet elitare policore nga veriu.

Të hënën ka vazhduar tubimi i serbëve para objekteve komunale në veri të vendit për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj në zyra. Përveç njësiteve policore të Kosovës, një prani e shtuar e ushtarëve të KFOR-it – kryesisht amerikanë – gjendet para objekteve të komunave në këtë zonë të banuar me serbë etnikë.

Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar pasoja për Kosovën, pas përplasjes së serbëve të veriut me policinë, e cila të premten realizoi aksionin për t’ua mundësuar qasjen në zyra kryetarëve të rinj të tri komunave veriore – Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan.

Situata politike në katër komunat e veriore të Kosovës është sfidë që shkon përtej parimeve kushtetuese e ligjore të Kosovës. Kryetarët e zgjedhur janë optimistë se kanë “kapacitet dhe kompetenca” për t’iu përgjigjur qytetarëve. Por, qeverisja në veri, përkundër fitores në zgjedhje do të jetë mjaft sfiduese.

Aktualisht, në veri ekziston pak ose aspak rendi publik, udhëheqja nuk gëzon as autoritet, as besnikëri, ndërsa bandat e dirigjuara nga Beogradi i kërcënojnë me rezistencë institucionet kosovare që po mundohen të integrojnë komunitetin serb dhe të vendosin një rend efektiv.

Rakiç me dy kërkesa: Kryetarët e zgjedhur të largohen, policia t’i lirojë objektet

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore