Shqipëria

Raketat e Kim Jong – Shqipëria dhe 5 partnerë i bëjnë thirrje t’i ndalojë


Shqipëria, së bashku me pesë vende të tjera aleate, ndër të cilat SHBA-të, Franca, Britania e Madhe, Irlanda dhe Japonia, i kanë bërë thirrje zyrtarisht udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un, të frenojë zhvillimin e raketave balistike, me arsyetimin se ai po e bën këtë gjë, në kurriz të mirëqenies së popullit koreano-verior.

Ka qenë përfaqësuesja amerikane, Linda Thomas-Greenfield, ajo e cila ka bërë me dije deklaratën e përbashkët të gjashtë shteteve.

“Jemi këtu të unifikuar, për të dënuar lëshimet e fundit të raketave nga ana e Koresë së Veriut”, thuhet në deklaratë.

Nën siglën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, është kërkuar nga Kim Jong-un që ndjekja e zhvillimit të armëve të shkatërrimit në masë, të ndalojë.

Pikërisht zhvillimet e fundit në Korenë e Veriut, i kanë shqetësuar vendet e rajonit dhe më gjerë. Kryesisht, Japonia dhe Koreja e Jugut, janë ato më të prekurat. Testimet zhvillohen në detet përqark zonës. Brigjet japoneze, ndodhen pikërisht pak kilometra larg testimeve.

Ndaj, një thirrje për dialog, i ka shkuar Jong-un-it.

Në të kundërt, ai mund të përballet me sanksione, teksa Këshilli i Sigurimit ka nxjerrë rezolutën e qartë kundër mentalitetit të liderit korean.

“Qëllimi ynë, mbetet denuklearizimi i plotë, i verifikueshëm dhe i pakthyeshëm i gadishullit korean”, shkruhet në deklaratë drejt fundit.

Ndërsa, rruga diplomatike, është ajo e kërkuar, për të zhbërë kërcënimet nëpërmjet programeve të tilla.

Sakaq, Jong-un nuk duket i shqetësuar nga rezolutat e njëpasnjëshme kundrejt tij. Ai dhe ekipi i tij i shkencëtarëve kanë vijuar të testojnë raketa edhe gjatë 11 janarit, në një testim të tretë për to.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore