Shqipëria

Raketat e Kim Jong-un – Shqipëria kërkon mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurimit


Këshilli i Sigurimit do të zhvillojë mbledhjen e parë me dyer të mbyllura për vitin 2022, ku pritet të flitet për lëshimet e raketave nga ana e Koresë së Veriut e me gjasë, pas diskutimeve – në tryezë bën pjesë edhe Shqipëria – do të ketë një deklaratë të përbashkët.

Në fakt, ka qenë pikërisht Shqipëria, së bashku me SHBA-të, Francën, Britaninë e Madhe dhe Irlandën, vendet që kanë kërkuar një mbledhje të jashtëzakonshme mbi çështjen.

Një zyrtar i Departamentit të Shtetit, ka pohuar këtë fakt për Zërin e Amerikës, duke konfirmuar edhe shtetet që kanë bërë thirrjen.

Zhvillimin e fundit në detin Lindor, ishin të mërkurën e 5 janarit, kur Koreja e Veriut dhe lideri i saj suprem, Kim Jong-un, raportuan se kanë testuar me sukses disa silurë hipersonikë.

Testime të tillë janë bërë nga koreano-veriorët edhe gjatë muajve shtator dhe tetor. Ato kanë sjellë shqetësime të larta në arenën ndërkombëtare, e veçanërisht tek fqinjët e Japonisë dhe Koresë së Jugut.

Sipas këtyre zhvillimeve, nga Shtëpia e Bardhë, mesazhi shihet si i qartë, se Jong-un, nuk do ta frenojë modernizimin e arsenalit të tij ushtarak.

Dy takime emergjente mbi testimet e vitit të shkuar, janë mbajtur nga Këshilli i Sigurimit.

Mirëpo, një deklaratë e përbashkët, nuk u arrit nga palët. Ishin Rusia dhe Kina, shtetet të cila vunë veton dhe nuk e mbështetën çështjen.

E njëjta gjë ka ndodhur disa herë për sa i përket tryezave që i përkasin Koresë së Veriut.

Pavarësisht faktit se ka disa rezoluta aktive për sa i përket arsenalit ushtarak korean, ato duket se nuk kanë pasur efekt mbi diktatorin Jong-un.

Megjithatë, me shqetësimet amerikane dhe japoneze ende të dukshme në spektrin diplomatik, një rezolutë më e efektshme mund të vendoset pas takimit të sotëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore