Sport

Raiola i hap derën largimit të De Ligt-it nga Juventus-i


Agjenti i mirënjohur i futbollit, Mino Raiola, i ka hapur derën një largimi të mundshëm të klientit të tij, Matthijs de Ligt-it nga skuadra e Juventus-it.

Në një intervistë për “Cadena Rai”, agjenti nuk e përjashtoi mundësinë që mbrojtësi holandez të ndryshojë ambent në verën e ardhshme.

De Ligt është pjesë e Juventus-it që nga viti 2019, kur u transferua nga Ajax-i dhe ka kontratë me bardhezinjtë deri në vitin 2024. Ndërkohë, klauzola e lirimit të tij është 150 milionë euro.

Në intervistën e tij për “Cadena Rai”, Raiola u pyet për lojtarin tjetër, Alessio Romagnoli-n, që luan te Milan-i, nëse ai mund të luante së bashku me De Ligt-in dhe përgjigjja e agjentit ishte disi befasuese.

“Ata janë ndër mbrojtësit më të fortë në Evropë. De Ligt ka një kontratë, ndërsa Romagnoli-t i skadon vitin e ardhshëm”, tha Raiola.

“Unë mendoj se ata mund të luajnë së bashku vitin e ardhshëm te Juventus-i, por kini kujdes sepse De Ligt gjithashtu mund të largohet nga Juve në fund të sezonit”.

“Tregu funksionon kështu”, shtoi agjenti, që njëkohësisht është dhe përfaqësuesi i Paul Pogba-s, Zlatan Ibrahimovic-it dhe Gianluigi Donnarumma-s.

De Ligt është një opsion i mundshëm për Barcelona-n në merkaton e ardhshme, po ashtu edhe për Chelsea-n, sipas katalanases “Mundo Deportivo”.

Barcelona ishte e interesuar për të, që në kohën kur ai ishte pjesë e Ajax-it, para se ai të nënshkruante në Torino. Asokohe, klubi blaugrana nënshkroi me shokun e De Ligt-it, Frenkie de Jong-un dhe nuk mundi t’i sillte të dy në “Camp Nou”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore