Përballje

Basketboll: Rahoveci fiton gjysmëfinalen e parë të “Play-off”-it ndaj Golden Eagle Yllit


Skuadra e Rahovecit ka shënuar fitore të ngushtë ndaj Golden Eagle Yllit me rezultat 69:66, në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Play-off-it në Five Star Superligën e Kosovës në basketboll.

Vendasit e Rahovecit e nisën furishëm ndeshjen me një seri prej 11:1 dhe ishin më të mirë në çerekun e parë që përfundoi me rezultat 20:8 në favor të tyre.

Vreshtarët vazhduan me lojë të mirë edhe në periodën e dytë, ku arritën një epërsi deri në 17 pikë, kurse pjesa e parë përfundoi me shifrat 41:27.

Mysafirët kishin paraqitje tjetër në pjesën e dytë, të cilët u kthjellën disi dhe u rikthyen në lojë.

Perioda e tretë ishte shumë më interesante, ku Rahoveci, dy minuta nga fundit kishte epërsi 50:39, por mysafirët me katër pikë radhazi ngushtojnë shifrat në 50:43.

Skuadra nga Theranda vazhdoi me lojë të mirë edhe në 10 minutat e fundit, të cilët arritën ta barazojnë rezultatin në 52:52, madje edhe kaluan të parën herë në epërsi me shifrat 59:62 me një tre pikësh të Valon Bunjakut tre minuta nga fundi.

Më pas u zhvillua një dramë e vërtetë deri në fund, ku gjashtë sekonda nga fundi pranë rezultatit 67:66, Clark i Yllit humbi dy gjuajtje të lira dhe Rahoveci triumfon në fund 69:66.

Te Rahoveci u dalluan Darell Davis me 23 pikë e tetë kërcime, ndërsa te Golden Eagle Ylli pikë dyshifore shënuan Erjon Kastrati 14, Elyjah Clark 13, Valon Bunjaku dhe Demetris Morant nga 12.

Kujtojmë që skuadra që shënon tri fitore do të kualifikohet në finalen e madhe të Five Star Superligës së Kosovës në Basketboll.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore