Lajme

Rafineritë e pavarura në Kinë nisin të blejnë naftën ruse me zbritje


Në Kinë, rafineritë e pavarura kanë blerë në mënyrë diskrete naftën ruse me zbritje.

Lëvizja ka ardhur teksa vendet perëndimore pezullojnë blerjet e tyre dhe eksplorojnë embargo të mundshme për shkak të luftës në Ukrainë.

Në një rafineri në Shandong, një zyrtar ka treguar se nuk kishte raportuar publikisht marrëveshje me furnizuesit rusë të naftës që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

E gjitha në mënyrë që të shmangte tërheqjen e kontrollit dhe goditjen nga sanksionet e Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas tij, rafineria kishte marrë përsipër një pjesë të kuotës së blerjes për naftën e papërpunuar ruse nga firmat shtetërore të tregtimit të mallrave.

Këto të fundit duket se përfaqësojnë Pekinin dhe kryesisht kanë refuzuar të nënshkruajnë kontrata të reja furnizimi.

Shumë kompani perëndimore po luftojnë për të siguruar transportin ose financimin e nevojshëm për të blerë eksportet e mallrave të Rusisë, duke rritur pritshmëritë që Kina të blejë fuçitë e pashitura.

Atje, blerjet nga rafineritë e pavarura, zbulojnë se si disa importues po anashkalojnë rrugët tradicionale për të hyrë në naftën e lirë ruse.

Sakaq, SHBA-të dhe Mbretëria e Bashkuar kanë ndaluar naftën ruse dhe Bashkimi Evropian është në diskutime për një embargo dhe futjen e kufizimeve.

Nga 15 maji, tregtarët e mallrave me bazë në BE dhe Zvicër nuk do të jenë në gjendje të shesin fuçi Rosneft askund tjetër në botë.

Bllokimet në Kinë, sfidat logjistike dhe financiare të shkaktuara nga sanksionet ndaj Rusisë dhe rreziku i provokimit të SHBA-ve për të futur sanksione dytësore kanë ulur objektivat nga rafineritë shtetërore kineze për çdo rritje të konsiderueshme në blerjet e naftës së papërpunuar ruse.

Megjithatë, aktiviteti i transportit tregoi një rritje modeste në blerjet kineze.

Rafineritë kineze preferojnë klasën ruse ESPO të naftës së papërpunuar të prodhuar në Siberinë Lindore që hyn përmes tubacionit dhe anijeve që ngarkojnë në Kozmino afër Vladivostok.

Numri i anijeve Aframax që pritet të ngarkojnë naftë nga Kozmino është rritur nga një mesatare prej gjashtë në javë vitin e kaluar, në shtatë që nga shpërthimi i luftës.

Blerjet e naftës së papërpunuar dhe produkteve të naftës ruse nga Kina janë rreth 86 mijë fuçi në ditë më të larta këtë muaj se sa ishin mesatarisht vitin e kaluar.

Analistët janë të mendimit se kjo rritje në blerjet kineze mund të sugjerojë se gjetja e blerësve alternativë për naftën ruse dhe produktet e naftës mund të jetë më e vështirë nga sa parashikonte Moska.

Sipas zyrtarit të rafinerisë në Shandong, blerjet e furnizimeve ruse ishin duke u bërë me kujdes.

Pasi vendosja e mundshme e sanksioneve dytësore të SHBA-ve ndaj subjekteve të vendeve të treta që bëjnë biznes me Rusinë mund të çojë në mbylljen e krahut të saj tregtar në Singapor.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore