Lajme

Radojeviç, kryetar i Mitrovicës së Veriut: Jemi të gatshëm të luftojmë


Milan Radojeviç

Kryetari i Mitrovicës së Veriut nga Lista Serbe, Milan Radojeviç, ka deklaruar për media se “ne serbët në veri jemi të gatshëm të luftojmë për lirinë dhe mbijetesën tonë”.

“Ne, si përfaqësues institucionalë të serbëve në institucionet e Kosovës dëgjojmë zërin e popullit dhe populli kërkon që ne të ndërmarrim hapa të caktuar që do të dërgojnë një mesazh të qartë Prishtinës si dhe komunitetit ndërkombëtar lidhur me pjesëmarrjen tonë të mëtejshme në institucione”, deklaroi Radojeviç për televizionin serb Pink.

Serbët në veri janë revoltuar, pasi qeveria e Kosovës ka vendosur ta zbatojë vendimin e shkallëzuar për qortim të të gjithë atyre që vozisin vetura me targa ilegale të lëshuara në Serbi.

Ende nuk ka filluar faza e gjobave, por serbët atje nuk duan as të qortohen.

“Gjëja më e rëndësishme është që ne të dëgjojmë zërin e popullit, ne jemi përfaqësues legjitimë të serbëve në Kosovë dhe i dëgjojmë qytetarët tanë, sigurisht që do të përgjigjemi në përputhje me kërkesat e qytetarëve tanë”, shtoi Radojeviç.

Situata është tensionuar edhe pasi drejtori i Policisë së Kosovës për Mitrovicën e Veriut, Nenad Gjuriç, refuzoi ta zbatojë vendimin dhe kështu u suspendua nga policia.

“Shkarkimi i Gjuriç-it është shkelje e drejtpërdrejtë e Marrëveshjes së Brukselit, sepse Gjuriç është rezultat i drejtpërdrejtë i asaj Marrëveshjeje të Brukselit. Sipas asaj marrëveshjeje kryetarët e katër komunave në veri emërojnë dhe shkarkojnë drejtorin rajonal. Kjo lëvizje e njëanshme e Kurtit bëri prishjen e drejtpërdrejtë të Marrëveshjes së Brukselit, shtrohet pyetja nëse ajo marrëveshje ende ekziston”, tha Radojeviç.

“Gjuriç ka mbështetjen absolute të të gjithë policëve të Drejtorisë Rajonale Veriore, që është mesazh i qartë i unitetit tonë jo vetëm për Prishtinën, por edhe për të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë”, shtoi ai.

Në Mitrovicën e Veriut janë diku rreth 400 policë serbë që thuhet të jenë deklaruar se edhe ata do të largohen nga puna, nëse nuk ndryshon vendimi për suspendimin e komandantit të tyre.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore