Lajme

“Radojçiqi e kaloi poligrafin sa i përket vrasjes së Ivanoviqit”


“Ai pranoi, ndryshe nga disa tjerë, për t’iu nënshtruar testit të poligrafit dhe e kaloi atë në lidhje me vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Ai ra në disa tema të tjera, kështu që e dini se nuk ka mundur ta mashtrojë poligrafin”, tha Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kur u pyet për tërheqjen e urdhër-arrestit ndaj Milan Radojçiqit, i dyshuar për vrasjen e politikanit nga Kosova, Oliver Ivanoviç.

Vuçiç ka shtuar se autoritetet serbe e dinin se Radoiçiq nuk ka marrë pjesë në vrasjen e Ivanoviç-it.

Ai ka qenë kritik ndaj autoriteteve të Kosovës, pasi, sipas tij, e kanë fajësuar edhe atë se e ka porositur vrasjen e Ivanoviç-it.

“Detyra jonë është që të vazhdojmë një hetim serioz, megjithëse është e pamundur të zhvillohet në kushte të tilla, kur nuk ke autoritet aktual në atë pjesë të territorit, por në çdo rast nuk duhet të heqim dorë”, ka thënë Vuçiç.

Ndërkohë, në aktvendim të Gjykatës, thuhet se “pas shqyrtimit dhe analizimit të kërkesës së Prokurorisë Speciale për tërheqjen e urdhër-arrestit ndaj të dyshuarit, konstatohet se kërkesa është e arsyetuar mirë”.

“Nuk ka mundur që i dyshuari të sillet para organeve të drejtësisë, respektivisht në Prokurorinë Speciale, për shkaqe teknike dhe taktike të hetimit më të mirë të veprave penale e që dyshohet se i njëjti është i përfshirë në kryerjen e tyre”, thuhet në aktvendimin e Gjykatë Themelore në Prishtinë.

Kërkesa e Prokurorisë dhe aprovimi nga Gjykata ka ngjallur reagime të shumta në Kosovë, por çudia është se vetë Radoiçiq dhe as avokati i tij, nuk janë në dijeni fare se diçka e tillë ka ndodhur.

Avokati i tij, Zhivojin Jokanoviç, në një prononcim për Albanian Post, thotë se as ai e as klienti i tij nuk din gjë për këtë zhvillim.

Ata, sipas Jakonvoç-it, askush nuk i ka lajmëruar.

“Deri më tash nuk kam marrë asnjë njoftim, po presim ndoshta vjen sot ose nesër”, tha shkurt Jokanoviç.

Avokati serb, pas konfirmimit se nuk kanë pranuar diçka nga organet e drejtësisë, ka folur përsëri për, siç thotë ai, pafajësinë e klientit që mbron.

Pohon se klienti i tij nuk ka gisht në vrasjen e Ivanoviçit.

“Kemi qenë në kontakt me Radojeçiqin, ai nuk ka informata për këtë vendim të Prokurorisë. Ai më ka thënë se nuk ka lidhje me vrasjen e Ivanoviçit, por është larguar nga Kosova pasi kishte informata se do të likuidohet”.

Më 23 nëntor të vitit të 2018, Policia e Kosovës zhvilloi një operacion të kërkimit në veri të vendit me qëllim të arrestimit të Milan Radoiçiq i cili nuk u gjet në vendqëndrimin e tij ndërsa gjatë këtij operacioni u arrestuan katër persona.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore