Lajme

Radoiçiç dhe djali i Vuçiç-it takohen me serbët që janë nisur këmbë në Beograd


Milan Radoiçiç dhe Danilo Vuçiç

Grupit të të rinjëve serbë, të cilët janë nisur këmbë nga veriu i Kosovës për në Beograd me qëllim që t’i japin mbështetje presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, sëfundi i janë bashkuar edhe nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiç dhe Danilo Vuçiç, djali i presidentit të Serbisë.

“Nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç dhe Danilo Vuçiç, djali i presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, vizituan serbët nga Kosova të cilët tash e pesë ditë po ecin në këmbë për në Beograd për të marrë pjesë në tubimin mbështetës ndaj presidentit të tyre dhe Serbisë”, thuhet në komunikatën e Listës Serbe.

Radoiçiç së bashku me Zvonko Vesellinoviç-in dhe 11 persona të tjerë – të gjithë serbë nga Kosova – janë vënë në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Po ashtu, ata janë edhe nën sanksionet e Mbretërisë së Bashkuar.

Ndërkaq “Vuçiç Junior” është personazh shumë i përfolur në Serbi. Mediat atje kanë raportuar për përfshirjen e tij në disa aktivitete kriminale dhe pjesëmarrjen e tij në grupe mafioze në Beograd, kryesisht ato të ultra-tifozerive të klubeve të futbollit.

Ndryshe, një grup prej 23 të rinjsh nga Leposaviqi dhe 11 nga Mitrovica e Veriut, janë nisur të mërkurën në drejtim të Beogradit. Ata deklaruan se udhëtimin e kanë nisur me iniciativë të tyre me qëllim që gjoja t’i japin mbështetje presidentit serb.

Ata kanë të veshura bluza ku shkruhet “Për Serbinë, për Vuçiç-in – serbët nga Kosova”. Ata do të ecin 500 kilometra për nëntë ditë dhe synojnë të tregojnë se kjo nuk është asgjë në krahasim me “vendosmërinë” për të treguar unitet dhe harmoni në “kohë të vështira” për Serbinë.

Në Serbi aktualisht po organizohen protesta masive si reaksion popullor kundër regjimit atje pas vrasjeve të cilat ndodhën njëra pas tjetrës këtë muaj në Beograd, ku humbën jetën mbi 17 persona, ndërsa shumë të tjerë mbetën të plagosur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore