Lajme

Rada Trajkoviç intervistë për Albanian Post: Ambiciet e Vuçiç-it janë rritur – po abuzon me votat e serbëve të Kosovës


Rada Trajkoviç

“Është mjaft tragjike që abuzimi i vullnetit zgjedhor nga Lista Serbe që ka ndodhur brenda komunitetit serb për vite me radhë, tani është shtrirë edhe në komunitetet e tjera të pakicave”, ka thënë në një intervistë për Albanian Post, kryetarja e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova, Rada Trajkoviç.

Ajo ka deklaruar se Lista Serbe është “dorë e zgjatur” e Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç.

Sipas saj, kreu i shteti serb, po abuzon me votat e serbëve duke i detyruar të votojnë njerëzit e komuniteteve tjera.

“Ambiciet e tij (Vuçiç-it) janë rritur dhe oreksi i tij është rritur, ai tani po abuzon me votat serbe, duke i detyruar votuesit serbë të votojnë për listat e romëve, boshnjakëve dhe goranëve të cilët janë gjithashtu nën kontrollin e tij”.

Ish-deputetja e Kosovës potencon se “abuzimi i vullnetit elektoral në dëm të komuniteteve joserbe nuk është legjitim”.

“Është mjaft tragjike që abuzimi i tillë i vullnetit zgjedhor ka ndodhur brenda komunitetit serb për vite me radhë, dhe tani ajo situatë është shtrirë edhe në komunitetet e tjera të pakicave”.

Madje ajo pohon se njerëzit e Vuçiç-it kanë bërë presion të drejtpërdrejtë të votuesit duke kërcënuar ekzistencën e tyre ekonomike dhe sigurinë e punës.

Këtë presion, siç tregon Trajkoviç për Albanian Post, e kanë bërë “duke përdorur dhunë dhe kërcënim fizik të votuesve nga grupe kriminale që mbështesin në mënyrë aktive Vuçiç-in gjatë fushatës”.

“Që kur Vuçiç erdhi në pushtet, e gjithë strategjia e tij është bazuar në uzurpimin e institucioneve”.

Trajkoviç shton se e gjithë kjo po ndodhë haptazi dhe komuniteti ndërkombëtar vetëm se po e “përkëdhel” Vuçiç-in.

“Fatkeqësisht, këto metoda të regjimit të Vuçiç-it tolerohen dhe nuk sanksionohen. Është e qartë se ai ishte inkurajuar nga mbështetja e udhëheqjes së mëparshme në Prishtinë dhe bashkësisë ndërkombëtare”.

Politikanja nga qyteti i Graçanicës, ka folur edhe për “fazën finale” të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, duke kërkuar që në këtë proces të përfshihet edhe opozita serbe.

Ajo ka një arsyeje për këtë.

“Ekipi negociator i Beogradit duhet të zgjerohet dhe të përfshijë opozitën serbe, sepse Vuçiç tani është i ligjshëm për diskutim dhe profili i tij është në çekuilibër të plotë me Kurtin”.

“Jam i bindur që vetëm demokracia mund të arrijë një zgjidhje, dhe jo disa ndryshime në kushtetutë në një referendum. Sepse referendumet shpesh nuk sjellin zgjidhje, por vetëm forcojnë pozicionet e kundërta dhe sjellin konflikte të reja”.

Ajo shprehet e sigurt që garanca ma e madhe për të ruajtur multietnicitetin dhe stabilitetin është bashkëpunimi përmes kornizave ndërkombëtare të sigurisë.

“Një parakusht për relaksimin e marrëdhënieve është garantimi i sigurisë së të dy palëve me pjesëmarrjen në institucionet ndërkombëtare siç është NATO-ja”.

Trajkoviç nënvizoi se është i domosdoshëm themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe.

“Fakti është që ky mekanizëm ekziston për të ruajtur multietnicitetin e Kosovës, i cili është shumë i rrezikuar dhe në kufirin e poshtëm të qëndrueshmërisë”.

“Nevoja për këtë mekanizëm është e njohur dhe mbështetur nga shumë diplomatë të lartë që janë dashamirës të Kosovës”, përfundoi Trajkoviç.

Gjashtë ditë pas përfundimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, Trajkoviç e ka komentuar edhe fitore Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas saj, platforma zgjedhore e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti që pritet të rikthehet në ulësen e kryeministrit të Kosovës, “përmban vlera universale që janë të rëndësishme si për shqiptarët ashtu edhe për serbët”.

“Fitorja e Albin Kurtit është një mesazh për nënat e Kosovës që dëshirojnë që fëmijët e tyre të qëndrojnë në Kosovë, si dhe të rinjtë shqiptarë të Kosovës që ata gjithashtu duan të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Kosovë. Qytetarët duan një jetë normale dhe duan që krimi, korrupsioni dhe nepotizmi të jenë një e kaluar”.

Ajo nuk e mohon bashkëpunimin me Kurtin në të ardhmen. Por e ka një kusht.

“Nëse platforma e Qeverisë është ligji, drejtësia dhe siguria për të gjithë qytetarët, natyrisht ne jemi të gatshëm të pranojmë bashkëpunimin përfundoi Trajkoviç”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore