Lajme

Qyteti verilindor i Kinës me reshjet më të dendura të borës në 116 vjet


Në disa zona të Kinës verilindore, stuhitë e dendura kanë pasuar me reshje rekord bore.

Situata e rënduar ka ngritur shqetësime për mbajtjen ngrohtë të shtëpive në një zonë të goditur nga ndërprerjet e energjisë elektrike në fillim të këtij viti.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se në kryeqytetin Shenyang, në provincën Liaoning, reshjet mesatare të borës arritën në 51 centimetra.

Çka kanë shënuar edhe reshjet më të larta të borës që nga viti 1905.

Pas një stuhie të fortë bore në Mongolinë fqinje, një person vdiq dhe më shumë se 5 mijë e 600 të tjerë u prekën.

Studiuesit meteorologjikë në qytetin Tongliao kanë treguar se stuhia e borës ishte një ngjarje ekstreme e papritur e motit.

Në të gjithë Mongolinë e Brendshme dhe Kinën verilindore u lëshuan gjithsej 27 alarme të kuqe, i cili është alarmi më i lartë paralajmërues për stuhitë e borës.

Vala e ftohtë, e cila nisi të dielën, bëri që temperaturat të bien me të paktën 14 gradë në disa pjesë të Kinës verilindore.

Në Liaoning, tregon “BBC”, trafiku është prekur rëndë nga sulmi, me shumicën e stacioneve të pagesës së autostradave të mbyllura që nga e marta.

Të mbyllura kanë mbetur po ashtu edhe stacionet e trenave dhe autobusëve, me përjashtim të atyre në qytetet Dalian dhe Dandong.

Nga ana tjetër, autoritetet kanë thënë se po intensifikonin përpjekjet për të mbajtur shtëpitë ngrohtë duke rritur importet e qymyrit dhe duke maksimizuar kapacitetin e prodhimit të energjisë.

Gjithashtu u kanë kërkuar tregjeve dhe dyqaneve ushqimore të rrisin furnizimet me ushqime dhe të ulin çmimet.

Në shtator të këtij viti, rajoni verilindor i Kinës ishte një nga zonat e prekura veçanërisht nga ndërprerjet e energjisë elektrike, me rritjen e kostove që kontribuoi në mungesën e furnizimit me qymyr.

Megjithëse kriza e energjisë është lehtësuar, State Grid Corp i Kinës ka paralajmëruar më herët për një “ekuilibër të ngushtë të përgjithshëm me boshllëqe të pjesshme” midis furnizimit me energji dhe kërkesës për të gjatë dimrit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore