Teknologji

Qyteti i zgjuar në Portland, fle


Projekti i qytetit të zgjuar i krijuar nga Sidewalk Labs, firma krah Google-it, për të ndjekur modelet e lëvizshmërisë në qytetin e Portland-it në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka mbetur në sirtar.

Agjensia e lajmeve, BBC, shkruan se pas polemikave rreth mbarëvajtjes së planeve, Sidewalk Labs ka hedhur poshtë edhe vitin e kaluar një projekt ambicioz për ndërtimin e një qyteti digjital në Toronto.

Lajmin për ndalimin e projektit e ka bërë me dije Portland-i.

Nga ana tjetër, Sidewalk ka treguar se projekti kohët e fundit ishte në duart e një kompanie të quajtur Replica e cila ka thënë për BBC se nuk ka qenë e gatshme të ndante detajet e kërkuara nga qyteti.

“Ne nuk ishim të gatshëm të bënim kompromis mbi parimet tona të privatësisë të cilat zhgënjyen klientin tonë të Portland Metro-s dhe që çuan në një fund të hershëm të projektit”, është shprehur Replica.

Portland Metro, agjensia e qytetit e ngarkuar me realizimin e projektit ka treguar për BBC se “pas shqyrtimit të draft-it të të dhënave i dha fund marrëdhënies së saj me Replica-n”.

Portland Metro ka shtuar se nuk e ka paguar Replica-n për ndonjë shërbim dhe se i uron Sidewalk Labs-it më të mirën në punët e saj të ardhshme.

Lidhur me projektin, Sidewalk Labs e nisi pilotimin e software-it të të dhënave për vendndodhjen në Portland në muajin maj të vitit 2019 dhe në shtator të po atij viti vjen Replica.

“Software-i përdori të dhëna të identifikueshme për vendndodhjen e lëvizshme për të treguar se si njerëzit lëvizin nëpër qytet”, sqaron BBC.

Projekti kishte të bënte me përdorimin e të dhënave për të marrë vendime politike se ku të ndërtohen korsi biçikletash dhe kur të riparohen rrugët për të siguruar që shërbimet e autobusëve të jenë efikase dhe të arrinin në të gjitha komunitetet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore