Kultura

Qyteti i ngritur mbi mumie


Në vendin më të thatë të Tokës, në shkretëtirën Atacama të Kilit, janë gjetur mumie që datojnë para egjiptianëve.

Teksa egjiptianët mund të kenë kulturën më e famshme për të mumifikuar të vdekurit, rezulton se ata nuk kanë qenë të parët që e bënë këtë.

“Chinchorro-t janë njerëzit e parë që banuan në veri të Kilit dhe në jug të Perusë”, ka treguar antropologu Bernardo Arriaza.

“Ata janë pionierët e shkretëtirës Atacama”, ka vijuar.

Ai ka treguar se ata përbëjnë po ashtu kulturën e parë të njohur në botë që ka mumifikuar të vdekurit, duke filluar rreth pesë mijë vjet para erës sonë.

Mbetjet e këtyre qindra gjahtar-mbledhësve janë gjetur në rajonet Arica dhe Parinacota.

Në vitin 2021, këto varreza u regjistruan në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s për vlerën e jashtëzakonshme arkeologjike që ofrojnë.

Jo vetëm që zbulojnë praktikat e detajuara mortore dhe funerale të kulturës antike, por ofrojnë njohuri mbi strukturat sociale dhe shpirtërore të komunitetit.

“Kultura e Chinchorro-ve është e rëndësishme në shumë aspekte. Ata janë praktikuesit e parë funeral, më të hershmit në këtë rajon. Dhe trupat që i njohim sot si Chinchorro, janë vepra të vërteta arti parahispanike. Janë shprehje artistike e ndjenjave, e emocioneve të popullatave të lashta”, ka thënë Arriaza.

Paçka se njohja e UNESCO-s ka ardhur në kohët e fundit, banorët në Arica kanë ditur për mbetjet unike arkeologjike shumë më herët.

Kjo për shkak se trupat janë varrosur shumë afër sipërfaqes.

Mbetjet, në realitet, janë pjesë e themelit të qytetit.

Johnny Vásquez, i cili ka jetuar në Arica për 60 vjet, kujton se kur punëtorët gërmuan për herë të parë tubacione kanalizimesh për lagjen e tij, gjetën “shumë shtresa mumiesh”.

Në vitin 2004, kur punëtorët nisën të gërmonin për një hotel, ata u përplasën me kocka më pak se një metër nën tokë dhe në vend të tij, e kthyen vendin në një muze.

Deri më tash janë zbuluar qindra mumie, duke përfshirë ato të foshnjave dhe fëmijëve.

Sipas bioarkeologes Vivien Standen, toka e atjeshme përmban shumë arsenik natyral, i cili ka të ngjarë të kontribuojë në një shkallë të lartë të vdekjeve për popullatën, si dhe në një numër të madh abortesh.

Gjithashtu shkencëtarët kanë përcaktuar se Chinchurro-t i kanë lyer trupat për qëllime tradicionale me mangan, por duke qenë se mangani është toksik, ata pa dashje kanë dëmtuar shëndetin e tyre.

Të jetosh në një nekropol të lashtë mund të duket shqetësuese, por banorja në Arica, Marina Esquieros, nuk ka aspak frikë.

“Kam një jetë normale këtu në shtëpi. Nuk mendoj shumë se ka trupa të vdekurish”, ka thënë ajo.

Duket se vendasit i shohin të vdekurit rreth tyre si paraardhësit e tyre dhe veten si kujdestarë.

“Ne jemi vazhdimësia e Chinchorro-ve”, ka thënë Alfredo Guerrero, një tjetër banor në Arica.

“Në dhjetë vitet e fundit, e kam ndjerë dhe ia kam thënë familjes sime këtë, se nuk do të largohem nga ky vend. Do të qëndrojë, kështu që gjithmonë do t’i vizitoj ata”, ka shtuar.

Edhe peshkatari vendas, Jorge Ardiles, ka rënë dakord me këtë.

“Ata ishin peshkatarë njësoj si ne, ata ishin në këtë vend. Dhe pas mijëra vitesh, ne erdhëm të vendosemi këtu. Pastaj ne, si një komunitet peshkatarësh kemi autoritetin që e konsiderojmë veten si trashëgimtarë të tyre”, ka treguar ai.

Dhe se “kjo është arsyeja pse duam t’i ruajmë eshtrat që ata kanë lënë, si një trashëgimi të madhe për komunitetin aktual”.

“Ne jemi Chinchorro-t bashkëkohor në këtë moment”, ka përmbyllur ai.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore