Lajme

Qytetet e mëdha të ndotura nga dioksidi i azotit, sipas një hulumtimi


Qytetet në vende të zhvilluara janë goditur nga nivele serioze të ndotjes së ajrit nga dioksidi i azotit, shpesh pa e kuptuar shtrirjen e problemit.

Kështu ka zbuluar një hulumtim i fundit.

Në rang botëror, Moska është qyteti i dytë më i ndotur me dioksid azoti. Ajo renditet pas Shangha-it në Kinë, ndërsa Shën Petersburgu zë vendin e katërt.

Të tjera qytete pranë Rusisë e vazhdojnë listën. Ndër to përfshihet Ashgabat, kryeqyteti i Turkmenistan-it dhe Minsk-u, kryeqyteti i Bjellorusisë.

Të dyja janë respektivisht në vendin e shtatë dhe të tetë.

Mbikëqyrësi i hulumtimit, Pallavi Pant, ka treguar se “gjetja e disa qyteteve ruse në krye të listës ishte padyshim befasuese”.

Sipas tij, ka të ngjarë të vijë kryesisht nga ndotja e trafikut dhe një flotë automjetesh që është më e vjetër.

Qytetet e tjera më të prekura nga ndotja e dioksidit të azotit përfshijnë Teheran-in në Iran, Cairo-n në Egjipt, Stamboll-in në Turqi dhe qytetin Ho Chi Minh në Vietnam.

Teksa problemi i ndotjes së grimcave të karbonit ka qenë një shkak shqetësimi në rritje në mbarë botën, problemi i ndotjes nga dioksidi i azotit (NO2) është studiuar më pak.

Ka pasur vetëm stacione të kufizuara monitorimi në terren të aftë për të zbuluar gazin.

Sakaq, ekipi i shkencëtarëve që kryen hulumtimin përdorën të dhëna satelitore, së bashku me të dhënat nga terreni, për të përpiluar një pamje globale të grimcave të imëta dhe ndotjes së ajrit me dioksid azoti në më shumë se shtatë mijë qytete në mbarë botën.

Ata zbuluan se teksa vendet më të varfra prireshin të rrënoheshin nga ndotja e grimcave të karbonit, problemi i ndotjes me NO2 ishte më pak i studiuar mirë.

Qytetet më të këqija për ndotjen e grimcave të karbonit ishin Delhi dhe Kolkata në Indi, pasuar nga Kano në Nigeri dhe Lima në Peru.

Sipas raportit, 18 nga qytetet kryesore që tregojnë rëniet më të mëdha të ekspozimit ndaj NO2 gjatë dekadës së fundit ishin në Kinë.

NO2 nuk është aq i lidhur me vdekshmërinë sa ndotja e grimcave të karbonit, por mund të shkaktojë një sërë problemesh të frymëmarrjes, duke përfshirë shfaqjen e astmës te fëmijët dhe të përkeqësojë vështirësitë në frymëmarrje për ata që janë të ndjeshëm.

Sakaq, automjetet janë burimi kryesor i ndotjes nga dioksidi i azotit dhe automjetet e vjetra prodhojnë shumë më tepër se modelet më moderne.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore