Lajme

Qytetari kozmopolit dhe (ish)Kryeministri naiv


Dritan Abazoviç

“Unë luftoj për njerëz, jo për kombe, jo për etnicitete, jo për kultura të ndryshme, jo për pakicë, jo për shumicë, po për njerëz”.

Kështu kishte thënë Dritan Abazoviç saktësisht para një viti, në një intervistë për një nga televizionet shqiptare, derisa krenohej se në Kongresin e Partisë së tij “United Reform Action” (URA), kishin ardhur të gjitha partitë politike të Malit të Zi, hera e parë që ndodhte diçka e tillë.

Në të njëjtën intervistë, si edhe në të gjitha të tjerat, ai tregonte se i përçmon politikat identitare dhe se përkrahë një rrugëtim qytetar kozmopolit ku e rëndësishme është mirëqenia e përgjithshme e njerëzve dhe jo dominimet e grupeve të caktuara etnike.

Politika identitare kanë qenë politikat në Ballkan prejse ai mban mend politikën dhe “gja t’mirë s’na ka sjellë”, thoshte Abazoviç.

Për ironi, ishte pikërisht një politikë e tillë nga e kaluara që donte ta harronte Abazoviç (çështja e Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi) që ia ka shkurtuar të ardhmen si kryeministër.

Për shkak të nënshkrimit të kontratës me Kishën Serbe nga ana e tij, u deponua një kërkesë nga 36 deputetë (kryesisht të Milo Gjukanoviç-it) për ta hedhur në votë mosbesimi, të cilën të premten e 19 gushtit nuk e kaloi dot Abazoviç dhe 50 ligjvënës (nga gjithsejtë 81 sa ka Kuvendi i Malit të Zi) e rrëzuan nga pushteti.

Qeveria e Malit te Zi, nenshkrimi i kontrates me Kishen Serbe

Për ta rrëzuar Abazoviç-in nuk votuan vetëm ata që ishin kundër nënshkrimit që vendosi për çështjen e Kishës Serbe, por edhe të tjerë nga spektri i ndryshëm politik, prandaj Abazoviç tha në Kuvendin e Malit të Zi se “mua më sulmojnë të gjithë, sepse unë s’jam as i gjelbër, as i bardhë, as çetnik, as partizan, as ustash, as komit”.

“Nuk mund të më fusni në filmin e asnjë ane”, shtoi, duke riktheksuar edhe një herë se lufta e tij është për qytetarin malazez dhe pikë.

Por, pikërisht të prezantuarit e vetes si kozmopolit në një hapësirë politike si kjo e Ballkanit, për shumë kë, më shumë se vizionar, ka treguar sa naiv është ai.

Prandaj, në vend se të bëhej agjent i ndryshmit, përfundoi si agjent i interesave të ndryshme në lojën e lojtarëve të mëdhenj dhe një wannabe faktor që kishte treguar një zell kompulsiv për të qenë gjithmonë në qendër.

Shqiptaro-malazez dhe mysliman, Abazoviç kritikohet edhe për lëvizje që politika di të mos i falë.

Sepse, duke qenë agjent ndryshimi, ai s‘hezitoi të ndryshojë anë edhe vetë sa herë që i dukej e nevojshme.

“Për të mirën e Malit të Zi”.

Prandaj u bë bashkë me Gjukanoviç-in (më herët i akuzuar furishëm nga Abazoviç si koka e korrupsionit dhe kapës i shtetit) në mënyrë që të bënte qeverinë e re.

Dritan Abazovic dhe Milo Gjukanoviç

Por, gatishmëria për ta luajtur lojën nuk nënkupton domosdoshmërisht se je edhe lojtar. Veçanërisht kur brenda janë driblues të regjur.

Dhe kështu, i panjohur për ambicien e tij, agjenti i ndryshimit u bë agjenti i kontrollit të pushtetit.

Dhe në Mal të Zi, një kontrollues i madh pushtetit është Beogradi dhe Bota e Bashkuar Serbe (a.k.a Serbia e Madhe). Kjo është fuqia e Aleksandër Vuçiç në misionin e tij për t’u bërë Aleksandri i Madh.

Cinizmi i fshehur i kësaj “dua të jem” Perandorie Ballkanike është se Abazoviç përbënte një zgjedhje kaq të mirë për agjent, jo sepse është kozmopolitan e mendje hapur, por saktësisht se është shqiptar.

Çfarë fytyre tjetër do ishte më e mirë për synimet perandorake se sa një njeri që përfaqëson ata që ishin dikur viktimë e këtyre synimeve?

Veçanërisht, nëse ai vetë mendon se si shqiptar është në pozitë më të mirë për të zgjidhur probleme komplekse dhe emocionale për malazezët, serbët dhe gjëegjëzën e tyre identitare.

Gjëegjëza që u mbijetoi shekujve e perandorive, duke vazhduar edhe sot të jetë kingmaker në Mal të Zi. Gjëegjëzë që e rrëzoi edhe Abazoviç-in.

Prandaj, mediat që përcjellin linjën e Vuçiç-it, si në Serbi si në Mal të Zi, ashtu edhe kukullat e tij politike, kryesisht e mbështesnin Abazoviç-in.

Pse jo, derisa u kryente punë.

Dritan Abazovic dhe Aleksander Vucic

Një herë, ishte çështja e kontratës me Kishën Ortodokse Serbe, më vonë do ishte pjesëmarrja e Malit të Zi në Ballkanin e Hapur, dhe në fund, por larg nga synimi final akoma, censusi.

Triniteti i shenjtë i politikave identitare në Mal të Zi dhe agjenda e Vuçiç-it brenda.

Megjithatë, Gjukanoviç tregoi edhe një herë se fuqia nuk iu ka kalbur ashtu siç e supozonte shumë kush. Ai vazhdon të mbetet qendra e rëndesës në politikën e shtetit të vogël.

Ndërsa Abazoviç e ka provuar edhe në praktikë, atë që dikur si studiues i shkencave politike e konstatonte në teori.

Kultura kozmopolite është një ide utopike”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore