Lajme

“Qu prej gjumit ministër” – aksioni i PSD-së para Ministrisë së Shëndetësisë


Aksioni i PSD-së.

“Qu prej gjumit ministër”.

Këtë baner e vendosi Partia Socialdemokrate para Ministrisë së Shëndetësisë si dhe dy zmadhues me alarm që përdorët për t’u zgjuar nga gjumi.

Zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi, në një konferencë për media ka kërkuar nga ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, që ta kthejë vëmendjen tek shëndetësia

Kuçi tha se kërkesa e tyre është që “të zgjohet nga gjumi dimëror”.

“Para disa ditësh ne në shkallët e emergjencës i shtrim tepihun ministrit Latifi, në një mënyrë që ta nxisim që të vinte ndoshta i nxitur nga tepihu për ta parë gjendjen në të cilën i kemi spitalet”.

Ajo u shpreh se asnjëri premtim i Latifit akoma nuk është realizuar.

“Ministri Latifi nuk e ka përmbushur asnjë prej premtimeve të veta, pra thoshte që ditës duhet t’i zgjatim edhe dy orë që të kemi 26 orë në ditë por ne e kemi vetëm një kërkesë, që të zgjohet nga gjumi dimëror”, tha Kuçi.

Zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi

Edhe më 7 shtator, tepih i kuq i ishte shtruar ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi para Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) nga Partia Socialdemokrate.

PSD, edhe këtë aksion e realizoi me shpresën që ministri të filloj punën në përmirësimin e shëndetësisë.

“Ne kemi sjellë këtë tepih të kuq për të. Ndoshta kështu do ta bindim që t’ia fillojë punës, mbase nxitet nga luksi e glamuri. Sepse deri më tani kemi parë një ministër i cili është totalisht jashtë realitetit. E realiteti është ky: çdo dy ditë largohet nga një mjek nga Kosova. Këta gjashtë muaj janë larguar 95. Deri në fund të vitit pritet që të largohen 200”.

Ndryshimet e pritura nga Qeveria e quajtur e “shpresës” sipas tyre më së miri mund të shihen në QKUK.

Në konferencën e tij të parë si Ministër, Latifi i sapo emëruar i shëndetësisë, ka premtuar se ai vetë dhe ekipi i tij do të angazhohen në ngritjen e standardeve mjekësore duke e ngritur edukimin dhe trajnimin e të gjithë punëtorëve shëndetësor.

Në vitin 2009, Latifi ishte emëruar këshilltar për shëndetësi nga kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi.

Ai vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku suksesshëm zhvillon profesionin e tij prej mjeku. Megjithatë, prejse ka ardhur ka pasur kritika për të.

Mos-qëndrimi në kohë të plotë në Kosovë ka bërë shumë kë të pyes nëse ai është i dedikuar mjaftueshëm në punën e ministrit meqë ndanë jetën mes Kosovës e Amerikës.

Latifi në anën tjetër i ka siguruar të gjithë se varësisht ku gjendet fizikisht ai punën e bën njëjtë.

“Takimet i bëj edhe online”, pati deklaruar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore