Shqipëria

QSUT reagon pas akuzave të PD-së: Nuk përdoren ilaçe të skaduara, po dëmtohet qëllimisht puna e ekipit mjekësor


Qendra Spitale Universitare “Nënë Tereza”, ka theksuar se nuk përdoren ilaçe të skaduara dhe se “ato që janë servirur si “dokumente” dhe “prova” kanë të bëjnë me procesin e menaxhimit administrativ”.

Pra “nuk kanë të bëjnë në asnjë rast me lëvizjen fizike të sasisë gjendje të medikamenteve të magazinuara dhe aq më tepër për përdorimin e tyre për pacientët”.

Ky reagim vjen pasi një ditë më parë, Partia Demokratike publikoi disa dokumente, duke akuzuar ish-drejtoreshën e QSUT-së, Albana Fico se ka ndërhyrë në sistemin online të barnave për të fshirë datën e tyre të skadencës dhe më pas përdorimin e tyre në shërbimin onkohematologji pediatrike.

Ishte deputetja demokrate Albana Vokshi që drejtoi akuzat.

QSUT vijon me sqarimin se “ngritja e këtyre pretendimeve të pabaza, po dëmton qëllimisht punën e ekipit mjekësor në shërbim të pacientëve”.

“Sqarojmë se në sistemin elektronik SISP, lëvizja e medikamenteve në të gjitha nivelet, nga Farmacia Qendrore deri në nivel pacienti, bëhet vetëm brenda vlefshmërisë (skadencës) së medikamentit, dhe pas këtij afati, çdo lëvizje bllokohet automatikisht nga sistemi në të gjitha nivelet”.

Gjithashtu thuhet se “në lidhje me rastin e pretenduar theksojmë se për nevoja administrative, me qëllim diferencimin e medikamentit të skaduar është kërkuar transferimi i sasisë së medikamentit të skaduar nga një magazinë në tjetrën”.

“Kjo për arsye se medikamenti i skaduar fizikisht duhet zhvendosur në karantinën e përcaktuar për ruajtjen e medikamenteve të skaduara, sipas rregullave në fuqi. Kjo procedurë po përdoret në mënyrë spekulative si rast ku këto ilaçe janë përdorur për pacientët. Sigurojmë se kjo gjë nuk ka ndodhur dhe se sasia stok e medikamenteve të skaduara është e pandryshuar. Nëse do ishte përdorur, do kishte ndryshim të gjendjes stok, çka provon se ky pretendim i hedhur qëllimisht në media është dezinformues”.

Ndër të tjera, informohet se “veprimet në sistem bëhen kryesisht pas orës 16.00 me qëllim shmangien e lëvizjes së tyre gabimisht nga përdorues në nivelet e tjera (përgjegjës te farmacive spitalore ose kryeinfermier të pavijoneve) që operojnë në sistem deri në orën 16.00”.

“Për sa i përket citimit se është mashtruar Parlamenti, në korrespondencë zyrtare QSUNT është shprehur se: “Aktualisht në Farmacinë Qendrore NUK ka sasi të medikamentit Feiba (Factor VIII inhibitor bypassing activity) 1000 UI Flakon…; Kjo, pasi sasia e mbetur prej 1137 flakon nga donacioni i përfituar për herë të parë gjatë vitit 2023, me impakt buxhetor 0 (zero) lekë, është i papërdorshëm. Qartësojmë gjithashtu se medikamenti FEIBA, nuk është kemiopreparat”.

Kujtojmë se në një deklaratë për shtyp Vokshi tha se “bëhet fjalë për një sasi prej 1137 flakonë të medikamentit FEIBA që përdoret për pacientë me hemofili. Kjo sasi e këtij medikamenti ka pasur datën e skadencës 31 dhjetor 2023. Në vlerë totale sasia e mbetur e skaduar e medikamentit FEIBA është rreth 1.35 mln euro”.

“Skandali qëndron në faktin që me urdhër të ish-drejtoreshës së QSUT Albana Fico, nëpërmjet një Memoje Nr. 126/65 datë 29.12.2023 janë dhënë direktiva të titullarit të institucionit Albana Fico që kjo sasi e mbetur e barit FEIBA të kalonte në shërbimin Onkohematologji pediatrike. Si mund të bëhej kjo? Vetëm me ndërhyrjen në sistem nga drejtori i IT në QSUT i cili të fshinte datën e skadencës”, tha Vokshi.

Sipas saj, “ministrja Koçiu dhe drejtoresha e QSUT duhet menjëherë të japin dorëheqjen e të largohen”.

Kjo, “pasi jo vetëm kanë dështuar në sigurimin e një të drejte kushtetuese për shërbimin shëndetësor, jo vetëm kanë dështuar të sigurojnë infrastrukturën, ilaçet, medikamentet, kurat e terapitë për pacientët, por edhe kanë lejuar manipulimin e sistemit online të farmacisë dhe qarkullimin e medikamente të skaduara të qarkullojnë shkojnë nga farmacia qendrore në pediatri duke mos kursyer as fëmijët”.

“ Sot është koha çdo pacient, çdo familjar, çdo i afërm të reagojnë, për të drejtën kushtetuese për shërbim shëndetësor”, tha Vokshi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore