Lajme

QIKA – Përmbys rendin, për 8 mars nuk festojnë, por protestojnë


Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA ka realizuar një aksion protestues me qëllim që të vë në pah kohën, përkushtimin dhe mundin që gratë shpenzojnë në mirëmbajtjen e shtëpisë dhe kujdesin ndaj të tjerëve.

Aksioni u zhvillua në mënyrë simbolike për të kundërshtuar mënyrën e padrejtë të ndarjes së roleve për punët brenda familjes.

Nën moton “Përmbyse Rendin” grupi i QIKA-ve ka ngritur zërin për lëmi të ndryshme në të cilat roli i gruas nënvlerësohet nga gjinia e kundërt.

Sipas kësaj qendre, gatimi, hekurosja, furnizimi, pastrimi e plot punë tjera të ngjashme, marrin shumicën e kohës së grave gjatë ditës. Dhe duke qenë shpesh të varura ekonomikisht nga burrat e familjes, gratë detyrohen që të shërbejnë ushqim e të lajnë enët dhe rrobat për ta. Krejt kjo punë e madhe që bëjnë gratë shihet si obligim i natyrshëm i tyre për shkak të ndarjeve tradicionale të roleve gjinore.

Një theks të veçantë kjo qendër i dha periudhës se pandemisë Covid-19 gjatë së cilës masat kufizuese dhe kriza ekonomike ishin dy faktorët më të zhvilluar.

“Masat kufizuese dhe kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia Covid-19, izoluan edhe më shumë gratë brenda shtëpive me përgjegjësitë e padrejta mbi punët e mirëmbajtjes dhe të kujdesit. Të dhënat tregojnë se tani gratë shpenzojnë kohë në këto punë pothuajse ekuivalentin e një pune me orar të plotë” thuhet në shkrimin e publikuar nga faqja zyrtare e grupit “Qika”, në Facebook.

Sipas “QIKA”- punët e shtëpisë janë nënçmuar historikisht dhe në fakt vazhdojnë të mos njihen as si punë. Në këtë mënyrë, gratë lëre më që po shfrytëzohen, por as nuk po ju vlerësohet angazhimi. Në rastet e ndarjes së pasurisë, si te baba ashtu edhe te burri, gratë konsiderohen si të huaja, atyre nuk ju takon prona, sepse nuk ju njihet puna.

Ato kërkuan që kontributi i grave brenda shtëpisë të jetë i barabartë.

“Duhet të njihet kontributi i grave brenda shtëpisë sepse duke qenë gjithë ditën në kuzhinë apo duke pastruar të palarat e të tjerëve, gratë nuk po arrijnë të shohin mundësinë e angazhimit në jetën shoqërore” shkruhet më tej në postimin e shpërndarë për 8 mars.

Në shenjë revolte, grupi i grave pjesëmarrëse në këtë aksion përmbysën në mes të sheshit “Skënderbeu”, tavolinën e këndshme e “të gatshme për të ngrënë”.

Për fund, QIKA-të kanë një mesazh – S’pranojmë të na zhvlerësohet puna e as të shfrytëzohemi nga shteti. T’i përmbysim rolet gjinore ashtu siç bëmë sot me tavolinën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore