Lajme

“Qeverisja e zero projekteve po e rritë varfërinë në Kosovë”


Ilustrim

Për Xhafer Tahirin, anëtarin e kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, mos efikasiteti i Qeverisë së Kosovës në raport me realizimin e projekteve kapitale është duke u përkthyer në rënie ekonomike, mbyllje të bizneseve, humbje të vendeve të punë dhe rritje të varfërisë në Kosovë.

Tahiri nëpërmjet një konference për media ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mungesë të realizimit të buxhetit në gjashtëmujorin e pare të vitit 2022.

“Realizimi i buxhetit në gjashtëmujorin e parë të këtij viti është vetëm 9 për qind pra më e ulëta në 10 vitet e fundit. Të dhënat e raportit 6 mujor nga Thesari i Republikës së Kosovës ku janë të paraqitura në detaje projektet kapitale dhe realizimi i tyre në faza të ndryshme e shpërfaq më së mirë edhe me numra paaftësinë qeverisëse të pushtetit. Për më keq kjo paaftësi qeverisëse po ndodh në kohën më të keqe të krizës ekonomike”, ka shpjeguar Tahiri.

Sipas LDK-së është skandal i madh që katër ministri të Qeverisë e kanë zero për qind realizimin e buxhetit për investime kapitale në gjashtëmujorin e pare të vitit 2022.

“Ministria e Ekonomisë që ka buxhet vjetor mbi 16 milionë euro ka realizuar zero për qind të buxhetit për investime kapitale. Ekonomia nuk e duron popullzimin sepse gjithçka shumëzohet me zero, zero mbetet” deklaroi Tahiri.

Ministri të tjera sipas Tahirit me realizimin 0 për qind të buxhetit për investime kapitale janë ajo e Industrisë dhe e Administratës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore