Lajme

Qeverisë “Kurti 2” i shtohet edhe një i dënuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare


Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka emëruar në pozitën e zëvendësministrit të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Qazim Rrahmanin, i cili është dënuar për keqpërdorime me paratë e buxhetit të Kosovës.

Njoftimin se është emëruar në pozitë qeveritare e ka bërë të ditur vetë Rrahmani, përmes një postimi në Facebook.

“Të nderuar qytetarë, sot kam pranuar vendimin nga Kryeministêri z.Albin Kurti dhe zv.Kryeministêrja znj. Emilija Redžepi, të cilit më emruan zv.Ministër në Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve… Me nder dhe përgjegjësi do të vazhdoj kontributin për vendin dhe qytetarët e Kosovës, respektivisht për komunitetin tim”, ka shkruar Rrahmani në postimin e tij.

Rrahmani në tetorin e vitit 2018 ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, pasi kjo e fundit kishte vërtetuar se gjatë kohës sa Rrahmani ishte zëvendësministër në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, kishte keqpërdorur pozitën e tij, duke përfituar financiarisht.

Prokuroria e ka akuzuar Rrahmanin, se ai, gjatë periudhës qershor 2015 e deri në janar 2016, nga kartela bankare zyrtare, e destinuar për udhëtime jashtë vendit, kishte nxjerrë shumën prej 12.363.40 euro, pa pasur aprovim për udhëtime zyrtare.

Për këtë vepër ai ishte dënuar gjashtë muaj burgim, mirëpo, me pëlqimin të tij, ky dënim me burg i ishte zëvendësuar pastaj në dënim me gjobë në lartësi prej 3,000 euro, për të cilin vendim ai nuk kishte bërë fare ankesë.

Ai po ashtu ishte obliguar që t’ia kthejë Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) edhe shumën prej 4,858.89 euro, ngase më parë ia kishte kthyer kësaj ministrie shumën prej 7.504.51euro.

Mirëpo Rrahmni, që vjen nga Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI), ishte emëruar në pozitën e zëvendësministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit edhe në Qeverinë e udhëhequr nga ish-Kryeministri Avdullah Hoti.

Ai gjithashtu në Qeverinë e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, kishte qenë zëvendësministër në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim.

Ndryshe, në Qeverinë “Kurti 2”, Rrahmani nuk është i vetmi zyrtar i cili ka pasur probleme me drejtësinë lidhur me akuza për korrupsion, pasi në pozitë edhe më të lartë se ai, si i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare është Ministri i Mjedisit-Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës Liburn Aliu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore