Shqipëria

Qeveria vendos: Rritje pagash për mjekët, infermierët dhe mësuesit


Këshilli i Ministrave në Shqipëri ka vendosur në mbledhjen e radhës, të mërkurën e 6 korrikut, për rritje të pagave të mjekëve, infermierëve dhe punonjësve të sistemit arsimor parauniversitar.

Ishte ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila tha se nga 1 korriku është rritur paga për mjekët dhe infermierët, me 6 %.

Ajo u shpreh se ka ky vendim përfitojnë 19 mijë punonjës të shëndetësisë.

“Kjo është një politikë e Qeverisë shqiptare. Efekti për rritjen e pagave është 10 milionë dollarë dhe nga kjo rritje përfitojnë 19 mijë mjekë, infermierë dhe profesionistë të shëndetësisë”.

Gjithashtu, po sot, është vendosur një shpërblim financiar në masën 15 mijë lekë në muaj për të gjithë ata mjekë që përfundojnë specializimin dhe ushtrojnë profesionin e tyre jashtë vendbanimit të tyre.

Edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, njoftoi rritjen me 6% për të gjithë punonjësit e sistemit arsimor parauniversitar.

Po ashtu, për herë të parë, do të rritet edhe paga e punonjësve psikosocialë.

“Për të gjithë punonjësit e sistemit arsimor parauniversitar, finalizuam angazhimin që kemi ndërmarrë që në fund të vitit të kaluar me miratimin e buxhetit për këtë vit. Do të rriten 6% pagat e punonjësve të sistemit të arsimor parauniversitar. Po rritet edhe paga e punëtorëve psikosocialë dhe oficerëve të sigurisë”, njoftoi Kushi.

Ajo theksoi se do të ketë rritje edhe për orët suplementare të mësuesve.

Më datë 22 qershor, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, njoftoi se do të ketë rritje pagash me 30 për qind për të gjithë personelin, nga ushtari deri te gjenerali.

Ky vendim, bëri me dije ai, hyn në fuqi duke filluar nga 1 korriku.

Ndër të tjera, ai e cilësoi këtë vendim të rëndësishëm dhe që “nuk merret shpesh”.

“Në 30 vite nuk ka pasur një vendim si ky që lidhet me trajtimin me pagë të personelit ushtarak. Rritje historike e pagës, jam krenar dhe mirënjohës që premtimi i kryeministrit është jetësuar”, tha ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore