Lajme

Qeveria vendos masa të reja mbrojtëse për produktet e naftës


Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka marrë vendim që të vendosë masa mbrojtëse për produktet e derivateve të naftës.

Sipas këtij vendimi, marzha tregtare maksimale e lejuar me shumicë është dy centë për litër, kurse çmimi maksimal i lejuar i shitjes me pakicë 12 centë për litër naftë.

Në arsyetimin e këtij vendimi, thuhet se “MINT-i ka monitoruar tregun e produkteve të naftës dhe çmimet e furnizimit nga importi. Në bazë të raportit të Inspektoratit të Tregut, është evidentuar mospërputhje e çmimeve në Kosovë në krahasim me lëvizjet në tregjet botërore”, shkruan REL.

“Kjo përbën shkas për rregullimin e çmimeve dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse”, thuhet në vendim.

Ky vendim do të jetë në fuqi për 30 ditë.

Më 22 qershor, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar me unanimitet, udhëzimin administrativ për rregullimin e çmimeve për produktet e naftës dhe karburanteve të ripërtritshme dhe masat e tjera mbrojtëse, në Kosovë.

Udhëzimi administrativ në fjalë bëhet me qëllim që të mbrohet konsumatori, të mbrohet konkurrenca për të mënjanuar çrregullimet në treg dhe për qëllime të tjera të interesit shtetëror, ka deklaruar ministrja e Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, në mbledhjen e qeverisë këtë të mërkurë.

“Në bazë të të dhënave që posedon Ministria e Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregtisë të konfirmuara me evidencë nga bizneset, nga Dogana dhe ATK, të cilat evidenca kanë argumentuar që ka mospërshtatje të çmimeve vendore krahasuar me lëvizjet e çmimeve në tregun botëror, prandaj për faktin që mospërshtatja e çmimeve është një ndër shkaqet kur qeveria mund të përcaktojë çmimin maksimal të lejuar apo përkufizimin e marzhës tregtare”, kishte deklaruar Hajdari.

Naftarët e Kosovës për çmimet e derivateve: Vendimi ka gabime në kalkulim

Ministrja nuk ka zbuluar tavanin e çmimit të naftës dhe derivateve të tij, por ka thënë se kjo do të përllogaritet nga evidencat që kanë siguruar nga institucione përgjegjëse në Kosovë.

“Përllogaritjet për çmimin maksimal do të jenë të bazuara nga evidenca e doganës dhe ATK-së dhe udhëzimi në fjalë është përgatitur në punën ekipore me Ministrin e Financave, Punës dhe Transferove dhe institucionet tjera përkatëse dhe me këtë udhëzim Ministria e Industrisë dhe Ndërmarrësisë e Tregtisë, propozon caktimin e menjëhershëm të çmimit maksimal të lejuar për derivatet”,

Rritja e çmimeve të naftës dhe benzinës në Kosovë ka shënuar nivelin më të lartë në 20 vjetët e fundit, sipas Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës.

Për shkak të lëvizjes së shpeshtë të çmimeve, ka pasur dyshime se naftëtarët po i kurdisin çmimet.

Kurdisja e çmimeve ose marrëveshja për nivelizimin e çmimeve është e ndaluar me Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës në Kosovë.

Për mbikëqyrjen e fenomeneve të tilla, institucion kompetent është Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, i cili ka rreth 11 muaj që nuk është funksional dhe kjo për shkak të mungesës së Komisionit Kosovar të Konkurrencës.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore