Lajme

Qeveria Ruse: A nuk e njeh më Washington-i pavarësinë e Kosovës?


Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ka ironizuar me deklarimet e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, kur ka komentuar fjalimin e tij për sferat e ndikimit dhe rendin ndërkombëtar.

“Deklarimet e Washington-it se është e papranueshme të përdoret forcë për të ndryshuar kufijtë, të detyrohen vendet për t’iu bashkuar unioneve dhe të definohen sferat e influencës i kontradikton veprimet konkrete të bëra nga vetë SHBA-të”, ka shkruar në  Telegram, Zakharova.

Ajo ka vënë theksin sidomos te prononcimet e fundit të Blinken se qëllimet e Washington-it në bisedimet për siguri me Moskën zyrtare, janë që të mbrojnë parimet bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare, se shtetet nuk mund të ndryshojnë kufij më forcë se nuk munden t’u diktojnë shteteve të tjera se me kë të lidhen dhe të përcaktojnë sfera të influencës.

“A po e kuptojmë qartë këtë apo jo? A nuk po e mbështetka më Uashingtoni pavarësinë e Kosovës?”, ka pyetur me ironi Zakharova, duke aluduar se ishin SHBA-të që përdorën forcën për të çliruar Kosovën dhe ndryshuar kufijtë e Serbisë.

“Pse ata e bënin vetë në të kaluarën dhe e bënin në rajone që s’kanë të bëjnë fare me ta dhe s’kanë pasur kurrfarë mandati ndërkombëtar për të zgjidhur konflikte”.

Bisedimet për siguri në mes të Rusisë dhe SHBA-ve kanë filluar me 10 janar në Gjenevë. Shqetësimet e dy palëve për sigurinë do të diskutohen në takimin e 12 janarit, këtë të mërkurë, në takimin e Rusi-Këshilli i NATO-s dhe gjithashtu në Këshillin e Përhershëm në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSCE).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore