Qeveria pa datë për hapjen e Urës së Ibrit

Foto: Albanian Post

Valon Rashiti
14.08.2024 13:48
Loading Icons...

Qeveria e Kosovës ende nuk e di datën e hapjes së Urës së Ibrit në Mitrovicë për qarkullim për vetura, meqë kryeministri Albin Kurti, nuk përmendi ndonjë datë në mbledhjen e Qeverisë, por theksoi se “konsultimet me partnerët tanë do vazhdojnë”.

“Do të vazhdojmë konsultimet dhe koordinimin me partnerët tanë. Hapja e urës nuk është kundër askujt, aq më pak partnerëve tanë. Kosova është shtet normal dhe urat e saj duhet të jenë normale, që do të thotë të hapura”, tha Kurti në mbledhjen Qeverisë gjatë kësaj të mërkure.

Në anën tjetër, zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, potencoi se janë në pritje të raportit final për stabilitetin e kësaj ure.

“Ne po e presim raportin final i cili do të vije brenda disa ditëve, mirëpo nuk presim që do të këtë ndonjë ndryshim. Instrumente të cilat janë përdorur për testime janë shumë të avancuara dhe nuk do të ketë ndonjë ndryshim”, potencoi Durmishi para gazetarëve.

Qeveria e Kosovës ka insistuar se ura mbi Ibër, që aktualisht ndan qytetarin e Mitrovicës në vija etnike, duhet të hapet plotësisht. Aktualisht, ajo është e hapur për këmbësorë, por jo edhe për automjete.

Megjithatë, vendet e QUINT-it në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë deklaruar se – tash për tash – nuk është koha e duhur për hapjen e urës.

Madje ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha të martën se hapja eventuale e urës “rrezikon ushtarët amerikanë”.

“Arsyeja pse e kërkojmë këtë është se besojmë se ka rrezik të njëmendtë që lidhet me një veprim të tillë tani, si dhe besojmë se ky rrezik shton kërcënimin e mundshëm për dhunë dhe probleme të tjera për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë, të cilët po punojnë për të ofruar paqe dhe siguri në Kosovë”, tha Hovenier për REL.

Cilat ishin përpjekjet për hapjen e Urës së Ibrit?

Ndërkaq përpjekjet për hapjen e Urës së Ibrit ishin bërë për katër herë radhazi. Një hap i parë ishte bërë para më shumë se dy dekadash.

Në vitin 2001, pas përfundimit të luftës, pati përpjekje fillestare për të hapur urën për të mundësuar lirinë e lëvizjes ndërmjet dy komuniteteve, por tensionet mbetën të larta dhe ura u mbyll përsëri shpejt.

Një moment i rëndësishëm për hapjen e Urës së Ibrit, ishte në vitin 2013, atëherë kur edhe u arrit Marrëveshja e Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë, e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Kjo marrëveshje përfshinte edhe hapjen e Urës së Ibrit, si pjesë e një plani më të gjerë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe integrimin e komuniteteve të ndara në Mitrovicë.

Por, në vitin 2014, barrikadat janë zëvendësuar me gardhe betoni e me pemë, të cilat autoritetet vendase i kanë quajtur “Park i Paqes”.

Ndërkaq, në vitin 2015 filloi projekti i Urës së Mitrovicës, i cili u mbështet nga Bashkimi Evropian dhe përfshinte krijimin e një zone për këmbësor, kjo përpjekje ishte një pjesë e rëndësishme e planit për të integruar komunitetet e ndara dhe për të promovuar paqen dhe stabilitetin në rajon.

Ky “park” është hequr në vitin 2016 – pas së cilës gjë është menduar që ura të hapet për qarkullim.

Të fundit

Aktuale