Kosova

“Qeveria në gjendje kome”


Shefi i grupit parlamentar nga Partia Demokratike e Kosovës, Abelard Tahiri.

Shefi i grupit parlamentar nga Partia Demokratike e Kosovës, Abelard Tahiri, pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës ka thënë se gjendjen aktuale të qeverisë e konsideron si “gjendje kome”.

“Qeveria e Kosovës mund të themi që është në lloj gjendje kome. Është e pabesueshme me hy në sesionin vjeshtor dhe ne si kryesi e kuvendit mos me pas pika, propozime të reja që vinë nga Qeveria si sponsorizuesi më i madh i politikave në këtë vend për të diskutuar rreth projekteve të reja”, u shpreh Tahiri.

Thirrja e tij tek Qeveria e Kosovës ka qenë që me sindikatat të gjejnë zgjidhje sa më shpejt.

Shefi i grupit parlamentar nga Partia Demokratike e Kosovës, Abelard Tahiri

“Po hymë në javën e katërt që mësimi në Republikën e Kosovës nuk po mbahet. Kjo është e papranueshme edhe është e papranueshme kryeneçësia e kryeministrit Kurti i cili është përgjegjës për situatën e krijuar në arsimin e Kosovës, është një dëm jashtëzakonisht i madh i cili po i shkaktohet mbi të gjitha të ardhmes së Kosovës”.

“Ne bëjmë thirrje që Qeveria të ulet sërish me Sindikatet dhe të gjejnë një zgjidhje këto ditë. Ne do të vazhdojmë serish të enjten me këtë pik në seancë në rast se nuk gjendet një zgjidhje”.

Ndërsa, zëvendësshefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka bërë të ditur se të enjten do të ketë dy seanca në Kuvendin e Kosovës.

Rrustemi, këtë e bëri të ditur në një konferencë për media.

“Në mungesë të kuorumit të kryesisë u vendos që të enjten të kemi dy vazhdime të seancave të Kuvendit të Kosovës, një më pikat e papërfunduar nga seancat e enjtes së kaluar dhe një me pikat të papërfunduara të sesionit pranveror të seancës së fundit”, deklaroi ai.

Ai shtoi se “nuk kishte ndonjë vendim tjetër gjatë kësaj mbledhje”.

I pyetur nga gazetarët se janë duke u kritikuar për pak transparencë sa i përket dialogut Kosovë-Serbi ai tha se ka transparencë të mjaftueshme nga Qeveria në Pushtet.

“Transparenca ka qenë jashtëzakonisht e madhe madje kryeministri ka takuar edhe partitë opozitare sa i përket dialogut, ka edhe diskutime në Kuvend sa herë që ka kërkesa nga Kuvendit. Unë mendoj që transparenca është e plotë”.

Zëvendësshefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi

Që nga 25 gushti, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) kishte marrë vendim që të hyj në grevë duke kërkuar rritje pagash prej 100 eurosh.

Edhe pas takimeve në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës nuk është gjetur një gjuhë e përbashkët mes dy palëve.

Pavarësisht mos realizimit të kërkesave të sindikalistët disa shkolla kanë vendosur që të fillojnë procesin mësimor.

Të enjten e 15 shtatorit, në komunën e Gjakovës pesë shkolla kanë filluar procesin mësimor.

Lajmin për Albanian Post e kishte konfirmuar drejtoresha e Arsimit në komunën e Gjakovës, Eranda Kumnova Baçi.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës në Kosovë, Rrahman Jasharaj për deklaroi për Albanian Post se, “vetëm 17 mësimdhënës janë duke tentuar të punojnë dhe ata dolën që janë të afërt me pushtetin”.

Edhe pas takimit që ishte mbajtur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti ai kishte pohuar se greva vazhdon të mbetet e njëjtë.

“Kemi shumë komuna dhe shkolla në raport me atë që më thanë greva është e njëjtë. Unë po them mund të ketë individë që dëshirojnë të punojnë. Besoj se do të ketë dezinformata edhe nga grupe të caktuara që disa shkolla kanë filluar punën”.

Ndërsa nga kryeministri i Kosovës, kreu i SBASHK-ut ka kërkuar që jetë “kryeministër i të gjithëve”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore