Lajme

Qeveria ndan edhe 15 milionë euro në luftën ndaj pandemisë


Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës është miratuar nisma për negocim të Marrëveshjes për Financim të Projektit Emergjent të Kosovës për Covid-19 mes Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim i cili mundëson financim shtesë prej rreth 15 milionë euro.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati në mbledhjen e Qeverisë ka deklaruar se kjo shumë është shtesë për luftim të pandemisë. Kjo vjen si vazhdimësi e marrëveshjes bazë ka thënë ai.

“Mjetet financiare do të destinohen si përgjigje e pandemisë”.

Ndërsa sa i përket Rimbushësimit për 10% të Tristit, Ministri Murati ka thënë se do të fillojë nga viti 2023.

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin që rimbursimi në formë të kompensimit për ata që kanë tërhequr 10 % nga Trusti të përcaktohet në çdo vit fiskal duke filluar nga 2023.

Kryeministri Albin Kurti në mbledhje ju ka rikujtuar zëvendësve të tij dhe ministrave të kabinetit se duhet të raportojnë për 100 ditshin e qeverisjes së dikastereve të tyre.

Ai ka thënë se është e rëndësishme që të përmbaheni instruksioneve sepse po na kushtojnë kohë.

“Aktivizoni burimet për të raportuar për punën e mirë që keni bërë”, ka deklaruar Kurti.

Mbledhja e Qeverisë ka filluar në ora 15:00 dhe pika të diskutimit janë gjithsejtë 20.

Ndërsa një nga to do të jetë shqyrtim i propozim-vendimit për rimbursimin për qytetarët që kanë tërhequr 10 për qind nga kursimet pensionale, bazuar në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike vitin e shkuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore