Qeveria ndalon hyrjen e mallrave serbe në Kosovë

Valon Rashiti
14.06.2023 16:42
Loading Icons...

Pas kidnapimit të tre policëve të Kosovës nga Serbia, Qeveria ka vendosur që asnjë mall nga Serbia të mos lejohet të futet në Kosovë.

Kështu ka thënë një burim brenda ekzekutivit kosovar, por që nuk ka dashur të identifikohet.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas kidnapimit të tre policëve të Kosovës, ku ka kërkuar lirimin e menjëhershmen të tyre si dhe reagimin e bashkësisë ndërkombëtare për këtë rast.

Kurti përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka thënë se “tre zyrtarë të policisë së Kosovës janë rrëmbyer sot në Leposaviq në vendin ku dikur kishte një rrugë ilegale të kontrabandës e që ndodhet rreth 300 metra në brendësi të territorit të shtetit tonë”.

“Dyshojmë që ata janë rrëmbyer nga ushtria e Serbisë, qartazi si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e djeshëm të kriminelit famëkeq Millun Millenkoviç – Lune, i cili paraqet një ndër krerët e krimit të organizuar dhe kontrabandës”, pohoi ai.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, importi i mallrave nga Serbia ka shënuar rritje në muajin prill të këtij viti krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

“Importet nga vendet e CEFTA-së në muajin prill 2023, arritën në 78,3 milion euro, ose 17.6 për qind të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 2.1 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia 6.1 për qind Shqipëria 5.6 për qind Maqedonia 4.6 për qind”, thuhet në raportin e ASK-së.

Albin Kurti, pasi u emërua kryeministër për herë të parë, mori vendim për heqjen e taksës 100 për qind që e kishte vendosur Ramush Haradinaj për produktet serbe.

Madje sipas tij, vendosja e reciprocitetit ishte çështje ditësh e javësh, por kurrsesi muajsh.

Të fundit

Aktuale