Kosova

Qeveria liron nga detyra ekipin menaxhues për Asociacionin, pasi që ekipi veçse e kryen punën për çfarë ishte themeluar


Dejan Radojkoviç, Kryesuese e Ekipit menaxhues per themelimin e Asociacionit te Komunaveme Shumicë Serbe

Katër anëtarët serbë të ngarkuar me detyrë për të hartuar draft statusin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe janë shkarkuar nga Qeveria e Kosovës, pasi që veçse kanë kryer punën për cfarë ishin angazhuar.

Ekipi menaxhues ishte i kryesuar nga Danijela Vujçiç, e i përbërë nga Jelena Boloviç, Igor Kalamar dhe Dejan Radojkoviç, të cilët u ngarkuan me këtë detyrë nga 25 shtatori i vitit 2020 kanë prezantuar në Bruksel draftin e statutit të Asociacionit.

Ligjërisht, puna e tyre do të përfundonte me ta preznatuar këtë draft.

Vendimin për lirim nga detyra të këtyre katër anëtarëve e ka marrë Elbert Krasniqi, ministër i Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal në Kosovë.

Një ditë më parë në takimin e nivelit të lartë në Bruksel, kryesuesja e Ekipit Menaxhues për hartimin e Draft-Statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, Danijela Vujiçiç, ka pretenduar se pala kosovare, përkatësisht kryeministri Albin Kurti dhe shefi i ekipit negociator, Besnik Bislimi, nuk kanë dashur të dëgjojnë prezantimin e Draft-Statutit.

“Anëtarët e delegacionit të Prishtinës – Kurti dhe Bislimi – vazhdimisht na shanin, nuk na linin të flisnim, talleshin dhe ishin të vrazhdë, na u drejtuan me përbuzje dhe presidenti [i Serbisë Aleksandër Vuçiç] reagoi ashpër për këtë”, tha Vujiçiç para gazetarëve, transmeton Radio Televizioni i Serbisë.

“Gjëja e parë që tha presidenti [Vuçiç] kur hymë në dhomë, unë dhe kolegia [Jelena] Beloviç, ishte: ‘Ku janë gratë e mia serbe nga Kosova dhe Metohia’. Ishte kaos total, pse përdorët termin Kosova dhe Metohia, Kosova nuk është pjesë e Serbisë. Për dy javët e fundit ata kanë bërë shumë presion në ekipin drejtues”, tha Vujiçiç.

Ajo shtoi se përfaqësuesve të Ekipit Menaxhues iu dhanë 30 minuta kohë për ta prezantuar Draft-Statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, duke pretenduar se pala kosovare iu ka bërë presion gjatë gjithë kohës.

“Përveç fjalës hyrëse që mbajta, kishim vetëm 30 minuta siç e kishte parashikuar BE-ja. Ishte e pamundur të prezantoheshin 67 nene dhe nëntë kapituj në 30 minuta, por përmes prezantimit arrita të them se tani puna më e madhe është që delegacioni ta lexojë draftin nen për nen dhe palët të bëjnë vërejtje të caktuara”, shtoi ajo.

_____________________________________________________________

Lajmërohet “Danijela e Asociacionit”: Hartimi i draftit ka zgjatur katër muaj

Danijela Vujiçiç nga Ekipi Menaxhues për hartimin e Draft-Statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, njëherit deputete e Kuvendit të Serbisë nga radhët e Partisë Progresiste Serbe që drejtohet nga Aleksandër Vuçiç, tha se hartimi i draftit ka zgjatur katër muaj – nga prilli 2018 deri në gusht 2018.

“Sot, pas pesë vjetësh, patëm rastin ta prezantojmë draftin e përfunduar në vitin 2018”, tha Vujiçiç para gazetarëve të martën në Bruksel, ku po zhvillohet takimi i nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë.

Ajo ndër të tjera tha se korniza që anëtarët e Ekipit Menaxhues iu përmbajtën gjatë hartimit të draft-statutit ishin katër marrëveshjet e arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian – dy në vitin 2013 e dy në vitin 2015.

Ndryshe, në tryezën e bisedimeve është paraqitur Draft-Statuti për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, të cilin e ka hartuar Ekipi Menaxhues në përbërje prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb – përfshirë edhe një deputete të Kuvendit të Serbisë.

Ky takim vjen pasi Kosova dhe Serbia dhanë dakordimin e tyre për Aneksin Zbatues të Planit Evropian për rrugën drejt normalizimit. Ky dakordim iu dha më 18 mars përfaqësuesve të Bashkimit Evropian në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ndërkaq dokumenti i dakorduar në tërësi iu paraqit edhe Këshillit Evropian.

________________________________________________________________________________

Kush është Danijela “shefja e Asociacionit” – politikanja e Vuçiç’it që kërkonte sanksionimin e Kurtit

Danijela Vujiçiç, ishte zgjedhur si ligjvënëse në Kuvendin e Serbisë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020 nën siglën e Partisë Progresive Serbe  – e udhëhequr nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Deputetja serbe me origjinë nga Kosova është aktive në jetën politike që nga viti 2001, kur iu bashkua partisë së qendrës së djathtë në Serbi “G17 Plus”. Ajo shërbeu si përfaqësuese e kësaj partie në Kuvendin e Mitrovicës së Veriut deri në vitin 2013.

Vujiçiç, e cila nisi karrierën e saj politike në Kosovë, në vitin 2013 udhëhoqi listën zgjedhore të Iniciativës Qytetare “Srpska” në Mitrovicën Veriore në zgjedhjet lokale – zgjedhjet e para lokale që u mbajtën në komunat serbe të Kosovës pas Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013.

Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, James Cleverly, më 9 dhjetor të vitit të kaluar, kishte njoftuar për një valë të re sanksionesh ndaj aktorëve të korruptuar dhe atyre që shkelnin dhe abuzonin me të drejtat e njeriut, si dhe autorët e dhunës seksuale në mbarë botën.

Në listën e të sanksionuarve ishin edhe politikanët dhe biznesmenët serbë që veprojnë në Kosovë, Milan Radoiçiç dhe Zvonko Veselinoviç, të cilët Qeveria e Britanisë së Madhe i kishte përshkruar si anëtarë të Grupeve të Organizuara Kriminale.

Disa orë pasi Britania e Madhe i vendosi Milan Radoiçiç’in dhe Zvonko Veselinoviç’in në listë të zezë, Vujiçiç kishte thënë se në vend të tyre, do të duhej të sanksionohej kryeministri Albin Kurti, i cili sipas saj “ishte shkelësi më i urryer i të drejtave të serbëve në Kosovë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore