Lajme

Qeveria kineze pezullon dialogun ekonomik me Australinë


Kina ka pezulluar “për një kohë të pacaktuar” të gjithë aktivitetin për një dialog strategjik dhe ekonomik me Australinë.

“Kohët e fundit, disa zyrtarë të qeverisë australiane të Komonuelthit filluan një seri masash për të prishur bashkëpunimin midis Kinës dhe Australisë nga mendësia e Luftës së Ftohtë dhe diskriminimi ideologjik”, tha të enjten një zyrtar i Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës (NDRC) në Kinë, në lidhje me vendimin.

Dollari australian ra ndjeshëm. Ishte aq i ulët, sa të enjten u këmbye me 0.7701 dollarë amerikanë, në krahasim me 0.7747 dollarë që ishte të mërkurën.

Lidhjet bilaterale u tensionuan në vitin 2018, kur Australia u bë vendi i parë që ndaloi publikisht kompaninë kineze të teknologjisë Huawei, nga rrjeti i saj 5G.

Marrëdhëniet u përkeqësuan më shumë vitin e kaluar, kur Australia bëri thirrje për një hetim të pavarur mbi origjinën e coronavirus-it, duke shkaktuar hakmarrje tregtare nga Kina.

Takimi i fundit, i destinuar si një kornizë për bashkëpunimin ekonomik, ishte në Pekin në vitin 2017, kur ministri i Tregtisë i Australisë nënshkroi një marrëveshje për bashkëpunim në projektin e politikës së jashtme kineze, “Belt and Road”.

Kjo e fundit është një iniciativë e ndërmarrë nga qeveria komuniste e Kinës për të investuar në infrastrukturën e disa shteteve në kontinentin e Azisë, Afrikës dhe Evropës, me qëllim përmirësimin e kapaciteteve tregtare dhe stimulimin e rritjes ekonomike.

Në prill, Canberra anuloi dy marrëveshje për projektin “Belt and Road” arritur nga shteti i saj i Victoria. Kjo shkaktoi që ambasada kineze të paralajmëronte se lidhjet dypalëshe, tashmë të tensionuara, do të përkeqësoheshin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore