Lajme

Qeveria kineze akuza Britanisë për strehimin e aktivistëve


Autoritetet kineze kanë akuzuar Mbretërinë e Bashkuar për strehimin e një “krimineli të dyshuar”. Kjo erdhi pasi shteti ishullor i siguroi azil aktivistit dhe ish-politikanit, në Hong Kong, Nathan Law.

Law, i cili u arratis nga Hong Kongu në vitin 2020, tha të mërkurën se ishte pajisur me azil politik nga Ministria e Brendshme britanike. Urdhri për arrestimin e tij erdhi në zbatim të ligjit të Kinës për kërcënimin e sigurisë kombëtare. Të paktën 100 figura pro-demokratike janë arrestuar në bazë të këtij ligji.

Shifrat e publikuara të premten tregojnë më shumë se 10 mijë e 200 njerëz janë arrestuar për pjesëmarrje në protestat masive në Hong Kong gjatë vitit 2019.

Të enjten, Zhao Lijian, zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, tha se Law ishte “i dyshuar dhe në kërkim nga policia e Hong Kongut”.

“Ne e kundërshtojmë strehimin e kriminelëve në çdo formë nga çdo vend, organizatë ose individ”, tha Zhao.

“Nëse Britania e Madhe mbështet ata që kërkojnë pavarësinë e Hong Kongut dhe strehon të dyshuarit në kërkim, do të përbëjë ndërhyrje të rëndë në çështjet gjyqësore të Hong Kongut dhe shkelje të ligjit ndërkombëtar apo normave themelore që rregullojnë marrëdhëniet ndërkombëtare”.

Law është një prej disa figurave të kërkuara nga autoritetet e Hong Kongut për veprat e pretenduara si kërcënim të sigurisë kombëtare. Ligji është gjerësisht i kritikuar pasi kriminalizonte aktet e kundërshtimit të qeverisë si kryengritje, bashkëpunim me të huaj dhe terrorizëm.

Në Twitter, Law shkroi se shpresonte që çështja e tij të solidarizojë Ministrinë së Brendshme britanike për “situatën e komplikuar në Hong Kong”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore