Lajme

Qeveria ka kritika, por jo zgjidhje për grevistët


Ilustrim; Rrahman Jasharaj dhe Albin Kurti

Kanë kaluar më shumë se 2 javë që kur Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ka shpallur një grevë të përgjithshme si në arsim ashtu edhe në administrat publike me të vetmen kërkesë – rritje të pagës prej 100 euro deri sa të miratohet Ligji i Pagave.

Ndonëse jo 100 euro, Qeveria e Kosovës propozoi gjysmën e kësaj shume në kuadër të një pakoje të re, për të gjithë punëtorët e sektorit publik, si një rrugëdalje. Megjithatë greva s’u ndal.

Përpjekjen e fundit “diplomatike” e bëri ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila u takua me Këshillin e Grevistëve të premten, por pa sukses.

Sipas një njoftimit të Ministrisë së Arsimit, Nagavci në këtë takim kishte kërkuar nga përfaqësuesit e SBASHK-ut, që mësimdhënësit që nga e hëna të fillojnë procesin mësimor ndërkohë që dialogu të vazhdojë.

Megjithatë për grevistët një gjë e tillë tregon se Qeveria nuk po dëshiron dialogun, por pranimin e çdo kërkese, e cila vjen nga ana e tyre, pa dëgjuar në këtë rast palën tjetër.

Nagavci kishte informuar përfaqësuesit e SBASHK-ut në lidhje me masat e fundit të Qeverisë, më saktësish për pakon prej 150 milionë eurosh, ku përfshihen edhe mësimdhënësit.

Por, të njëjtit një gjë të tillë nuk e kishin pranuar me pretekstin se shtesa prej 50 eurosh e ndarë nga Qeveria nuk është e mjaftueshme dhe duhet të gjendet një zgjidhje për realizimin e kërkesës së tyre prej 100 euro.

Takimi i Këshillit të Grevistëve me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci

Një ndër kërkesat e grevistëve është edhe fillimi i një dialogu gjithëpërfshirës në të cilën do të mund të diskutonin në detaje gjetjen e një zgjidhjeje për të dalë nga ky ngërç.

Por për ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, greva për sindikalistët është rikthyer në një mjet shantazhi dhe se sipas saj gjithë në këtë mes ka vetëm një palë e cila po pëson – nxënësit.

“Pozicioni ynë legjitim është: Të fillojë mësimi. Shumica e kërkesave të mësimdhënësve janë plotësuar, vazhdojmë dialogun e mirëfilltë social”, ka shkruar Nagavci në rrjetin e saj social në Facebook.

Për Nagavcin në pozicione të ngurta edhe pas bisedimeve të fundit po qëndron SBASHK-u.

“Pozicioni i drejtuesve të SBASHK: Nuk fillon mësimi para se të plotësoni kërkesën tonë për 100 euro ose për shumën që merremi vesh”.

Të kundërtën e thonë grevistët, sipas tyre Qeveria është fajtorja e vetme dhe se ajo përveç kritikave s’po ofron asnjë zgjidhje konkrete.

Grevistët madje pas takimit të fundit kanë vendosur që mos të shkojnë në ndonjë takim tjetër derisa qeveria sillet si palë e barabartë dhe ofron debat përmbajtjesor.

“Takime në stilin ju sindikatat heshtni dhe pranoni ato që po themi ne, nuk do të ketë më. Qeveria është e vetmja fajtore dhe deri sa ajo vazhdon me injorancë e fjalime të thata, greva do të vazhdojë sepse kështu kanë vendosur, jo individët, por grevistët”.

Çka ndodhi?

25 gushti i gjeti sërish në greva mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, punëtorët e administratës publike, shërbyesit civilë në institucione lokale dhe qendrore të Kosovës.

Të gjithë kanë të njëjtën kërkesë – rritje të pagës prej 100 eurove. Por, akoma pa përfunduar një ditë e grevës, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, doli me vendim që grevistët të pezullohen nga e drejta për pagesë, pasi nga ta po kërkohet detyrim i bindjes për të punuar.

Vendimin e njëjtë e përforcoi ministri i Financave, Hekuran Murati në një paraqitje publike, ku kumtoi lajmin se dikasteri të cilën ai drejton nuk ka bërë në tërësi ekzekutimin e pagave në sektorin publik, me pretekstin se nuk ka arritur të përditësojë listat e pagave, pasi disa nga shërbyesit civil janë në grevë dhe nuk paraqiten në punë.

Pra pagat, sipas Muratit, janë procesuar vetëm atyre organizatave buxhetore që kanë arritur të kompletojnë me kohë listat e pagave të përditësuar.

“Siç e dini greva e deklaruar nga SBASHK-u dhe BSPK-ja në fund të muajit gusht, ka krijuar nevojën që të riprocesohen llogaritjet për ato organizata buxhetore që ndikohen nga grevat, për këtë arsye kemi kërkuar përditësimin e listave të grevistëve ashtu që të respektohet neni 18.1 të ligjit për grevat”, ka thënë ai në një konferencë për media.

“Mirëpo meqenëse përditësimi i listave të pagave nuk ka arritur të ndodh me kohë nga këto organizata buxhetore, ka qenë e pamundur që të procesohen edhe me pagat e tyre në ditën e sotme”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore