Lajme

Qeveria ia kthen KOSTT-it dividentën në vlerë prej 20 milionë euro


Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati

Për shkak të krizës energjetike, Qeveria e Kosovës ka vendosur që t’ia kthejë ndërmarrjes publike energjetike KOSTT dividentën që ajo ia ka paguar këtë vit ekzekutivit.

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se vetë KOSTT-i ka kërkuar që t’i kthehen aksionet në mënyrë që të ketë likuiditet shtesë si pasojë e krizës së krijuar me energjinë elektrike.

“Pas ndihmës prej 20 milionë eurove për KEK-un, kësaj radhe po e kthejmë dividentën te KOSTT po ashtu në vlerë 20 milionë euro për shkak të krizës së importit dhe rritjes enorme të çmimeve në tregun ndërkombëtarë”, ka deklaruar ministri Murati.

Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati

“Kemi tejkalim të planifikimit të të hyrave për së paku sa është kërkuar që të kthehet dividenta, prandaj për ne si Qeveri nuk është se na paraqet ndonjë problem. I mbetet KOSTT-it që të rishikojë çështjen e deklarimit të pagesës së dividentës”, ka thënë Murati.

Gjatë kësaj mbledhje, qeveria ka ndarë 4.5 milionë euro për pensionistët dhe familjet në asistencë sociale, për të mbuluar vlerën e pagesës së faturave të energjisë elektrike.

“4.5 milionë euro do të ndahen në kuadër të masës 3.2 (mbështetja për pensionistët dhe familjet në asistencë sociale). Kjo shumë do të ndahet për të mbuluar pagesën e faturave të energjisë elektrike për familjet në nevojë”, është shprehur Murati.

Po ashtu, është bërë e ditur se në kuadër të masës 4.2, që ka të bëjë me mbështetjen për arsimin, do t’i ndajë 4.1 milionë euro për mbulimin e obligimeve për sa u përket librave për shkollat fillore.

“Ndarja tjetër ka ta të bëjë për MASHT-in me shumë 4.1 milionë euro, në kuadër të masës 4.2 (mbështetja për arsimin), që ka të bëjë me mbulimin e obligimeve për sa u përket librave për shkollën fillore”, ka thënë Murati.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore