Lajme

Qeveria e Spanjës: S’e njohim Kosovën, por kemi qasje konstruktive


Flamujt e Kosovës dhe Spanjës

Qeveria e Spanjës e ka rikonfirmuar edhe një herë vendimin e saj për të mos e njohur pavarësinë e Kosovës, ndonëse thotë se mban “qasje konstruktive” për këtë çështje, duke e mbështetur një zgjidhje në dialogun mes Kosovës e Serbisë, raporton “Europa Press”.

Kjo është bërë e ditur në një përgjigje parlamentare për deputeten Mariona Illamola, që kishte pyetur në lidhje me aspiratat e Kosovës për të hyrë në BE.

Qeveria e Spanjës, në një përgjigje, të cilën e ka “Europa Press”, ka konfirmuar qëndrimin “për mosnjohjen e deklaratës së njëanshme të pavarësisë të miratuar nga Prishtina në vitin 2008, pasi është një akt i njëanshëm”.

Megjithatë nga Qeveria thuhet se “nga një këndvështrim konstruktiv, konsiderohet se është koha për të bërë përpjekje përfundimtare për zgjidhjen e çështjes së territorit të Kosovës në kuadër të dialogut Beograd – Prishtinë, me një marrëveshje që respekton të drejtën ndërkombëtare”.

Sa i përket aspiratës së Kosovës për të hyrë në BE, Qeveria ka thënë se është aktivisht në favor të politikës së zgjerimit të BE-së dhe beson plotësisht në nevojën për t’i dhënë një shtysë të re inkuadrimit të Ballkanit Perëndimor.

Illamola kishte pyetur Ekzekutivin edhe për Samitin e mbajtur në Slloveni mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në tetor, ku mori pjesë edhe kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez.

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez

Deputetja katalunase kishte pyetur nëse Qeveria konsideron se po dëmtohet imazhi i Spanjës me vendosjen e vetove ndaj flamujve e simboleve të një vendi si Kosova. Ajo i ishte referuar faktit se për të lehtësuar pjesëmarrjen e Sanchezit dhe krerëve të vendeve tjera të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, u vendos të mos përdoreshin simbole në këtë ngjarje.

“Pozicioni i mosnjohjes nuk nënkupton ndërprerjen e pjesëmarrjes”, u tha nga Qeveria e Spanjës, ndërsa për pjesëmarrje ka thënë se është dashur plotësohen disa kushte të dakorduara brenda BE-së.

Më 10 nëntor, Aitor Esteban, deputeti i Dhomës së Ulët në Kongresin e Deputetëve në Spanjë, në mbledhjen e Kuvendit Spanjoll pati kërkuar nga Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, që ta njoh Kosovën njëherë e përgjithmonë.

Aitor Esteban

Sipas Esteban, Spanja de facto e ka pranuar subjektivitetin e Kosovës pasi ka pranuar të luaj zyrtarisht një ndeshje futbolli me kombëtaren e saj.

“Sa i përket Kosovës, njiheni sepse veç ka pasur ndeshje futbolli tashmë”, pati thënë Esteban.

Sipas tij Spanja nuk duhet të frikësohet as nga ndarjet duke iu referuar kërkesave të vazhdueshme për pavarësi të dy komuniteteve autonom, pra asaj të Katalonjës dhe Baskë.

“Ajo që duhet të ndodh do të ndodh”, pati shtuar Esteban.

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez dhe deputeti spanjoll Aitor Esteban

Spanja si pjesë e Bashkimit Evropian është njëra ndër pesë shtetet mos njohëse të pavarësisë së Kosovës së bashku me Qipron, Sllovakinë, Rumaninë dhe Greqinë.

Kosova e Spanja në futboll janë përballur në kualifikimet për Botërorin “Katari 2022”, në ballafaqim që është përcjellë me shumë polemika pasi që Spanja, duke refuzuar ta njohë Kosovën, ka refuzuar edhe përmendjen e termit shtet duke e quajtur atë territor

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore