Lajme

Qeveria e Kosovës premton investim prej 100 milionë euro në bujqësi


Qeveria e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës ka thënë se buxheti për bujqësinë për vitin 2022 do të jetë mbi 100 milionë euro, ai ka theksuar se kjo shumë do të arrihet së bashku me investitorët.

“Kosova vitin e ri e fillon me Strategjinë shtatë vjeçare për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural si dhe Strategjinë dhjetë vjeçare për Pylltarinë”.

“Në Buxhetin e ri për vitin 2022, do të realizohet përkrahja më e madhe me 70 milionë euro, ku në total së bashku me donatorë të tjerë do të investohen 100 milionë euro”, tha Kurti

Ai bëri të ditur se Qeveria ka planifikuar ndarjen e 10 milionë eurove për rezerva shtetërore, që do të mbushen me prodhime vendore.

“Qeveria është duke u siguruar që të përkrah sektorin e bujqësisë si është më së miri e më sigurt. Kemi aplikuar në programin për bujqësi për grantin prej 20 milionë eurosh për fermerët e vegjël”.

Ai ka deklaruar se janë adresuar obligimet ndaj fermerëve, prej rreth 40 milionë euro.

“Do të kemi së paku edhe 10 milionë euro për rezerva shtetërore që mund të mbushen me prodhime vendore. Prezantova vetëm buxhetin e shtetit pasi do të ketë edhe investime të investitorëve të huaj që synojnë afro 350 milionë euro”.

Mbledhja e Qeverisë se Kosovës.

Ai shtoi se e “gjithë kjo përkrahje në vlerë të madhe dhe donacionet nga miqtë tanë do të përfundojnë vetëm tek ata që do merren me aktivitetet bujqësore”.

Qeveria e Kosovës ka miratuar po ashtu Projektligjin për ratifikimin e Amendamentit të Marrëveshjes Financiare për IPA 2016 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Projektligj ky që do të mundëson shtyrjen e afatit për projektet e parealizuara për shkak të pandemisë.

Kryeministri, Albin Kurti  theksoi se Projektligji ka për qëllim shtyrjen e afatit përfundimtar për projektet që nuk kanë përfunduar si pasojë e pandemisë.

“Ky projektligj ka për qëllim mundësinë e shtyrjes së aftit përfundimtar për realizimin e projekteve që nuk kanë arritur të realizohen me kohë. Zyra e BE-së për fondet e parapara të përmbyll zbatimin e projekteve pa vështirësi”.

Ndërsa, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se afati do të shtyhet deri në vitin 2024.

“Është nënshkruar me 6 shtator. Qëllimi është që të mundësohet shtyrja e afatit përfundimtar të projekteve të cilat nuk kemi arritur t’i përfundojmë në kohë për shkak të pandemisë, e me këtë e shtyjmë afatin deri në vitin 2024”, tha Bislimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore