Lajme

Qeveria deklarohet për takimin Kurti-Vuçiç në Bruksel


Qeveria e Kosoves

Qeveria e Kosovës ka lëshuar një komunikatë për takimin e sotëm, e enjte, që u zhvillua në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe dy përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, Josep Borell e Miroslav Lajçak.

“Sot kishte dy tema në agjendë”, thuhet në komunikatë, duke elaboruar më pas secilën prej tyre dhe qëndrimet të cilat i ka mbajtur Kurti.

E para, konstatohet në komunikatën e Qeverisë për media, “ishte diskutimi për Kornizën e Përgjithshme të Marrëveshjes”.

Aty, sipas njoftimit të qeverisë, “Kryeministri Kurti theksoi që kjo marrëveshje duhet të jetë ligjërisht e obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër”.

“Ai prezantoi disa kapituj me elemente përkatëse që duhet t’i përmbajë kjo kornizë”.

Ndërsa, tema e dytë “ishin çështjet aktuale politike e të sigurisë për të cilat Kryeministri Kurti tregoi për rëndësinë e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vendin tonë si garancione të paqes, sigurisë dhe barazisë për të gjithë qytetarët pa dallim”.

Në komunikatë theksohet edhe se ky takim është dashur të mbahej me 19 korrik.

“Mirëpo, ai u pat shtyrë për muajin gusht me kërkesën e palës tjetër, gjersa Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pat shprehur gatishmërinë për pjesëmarrje”.

Vetë kryeministri, ndryshe nga herë të tjera, nuk është deklaruar për media pas takimit prej dy raundesh që u zhvillua në Bruksel.

Kështu ishte paraparë edhe me agjendë të mikpritësit, e cila u bë e ditur dy ditë para takimit.

Aty përcaktohej se pasi të përfundojnë bisedimet e ditës, do të jetë vetëm Borell që do t’u adresohet mediave, ashtu siç edhe ndodhi.

Në anën tjetër, qeveria serbe ka njoftuar se Vuçiç nuk do të flas deri nesër, e premte, por që kur të flas, ka gjëra shumë të rëndësishme për të thënë.

Deklarimi i Borellit për takimin “jo normal”

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borell, ka folur pas takimit me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, takim për të cilin ka thënë se nuk ishte aspak i lehtë, madje, “s’ishte takim normal”.

“Më falni që ju lash të prisni, por këto takime e dimë kur fillojnë e asnjëherë se kur kryhen”, deklaroi Borell.

“Ky ishte takimi i tretë i profilit të lartë në Dialog ku po kërkojmë normalizim të raporteve”.

“Takimi i sotëm nuk ishte takim normal. Nuk ishte takim i rregullt”, shtoi Borell.

“Së bashku me Lajçak-un të cilin e falënderoj shumë, e thirrëm këtë takim, sepse po ballafaqohemi me zhvillime negative në terren dhe tension në Kosovë”.

“Ky takim ishte për përgjegjësinë e të dy liderëve që të kërkojmë zgjidhje”.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore