Lajme

Qeveria çeke nën presion për të shfuqizuar një ligj të epokës komuniste


Qeveria çeke është vënë së fundmi nën presion për të ndryshuar një rregull të epokës komuniste.

Ai u mohon të drejtat e nënshtetësisë pasardhësve të fëmijëve refugjatë hebrenj që ikën në Britani nga Çekosllovakia e pushtuar nga nazistët përmes Kindertransport-it të para Luftës së Dytë Botërore.

Si një ligj i miratuar pasi komunistët morën pushtetin në vitin 1948, ai synonte të ndëshkonte dezertorët që ikën nga diktatura për në Perëndimin kapitalist.

Këtë, duke u hequr atyre dhe çdo fëmijë që vinte më pas të drejtën e shtetësisë, nëse nuk regjistroheshin në një ambasadë çekosllovake brenda një viti nga lindja e tyre.

Referuar aktivistëve, kjo rregullore që zbatohet për këdo me prejardhje çeke të lindur midis tetorit 1949 dhe majit 1969 ka pasur efektin e paqëllimtë të ndalimit të të drejtave të nënshtetësisë për mijëra fëmijë dhe nipër e mbesa të refugjatëve të rinj hebrenj që u arratisën nga Çekosllovakia falë përpjekjeve të britanikëve.

Gjatë asaj periudhe, tetë trena evakuuan gjithsej 669 fëmijë kryesisht hebrenj nga Praga në Londër, derisa shpërthimi i luftës ndaloi transportin.

Ligji i kohës së Luftës së Ftohtë që ndëshkonte të larguarit për “braktisje të paautorizuar” të Çekosllovakisë u shfuqizua në vitin 1990, një vit pas rrëzimit të regjimit komunist.

Dhe atyre që u është hequr me forcë shtetësia u është rikthyer që atëherë, por rregullorja që ndalon fëmijët e paregjistruar mbetet në fuqi.

Një ligj i shtetësisë i vitit 2013 u jepte të lindurve në periudhën 1949-1969 një amnisti njëvjeçare për të paraqitur aplikime, por Shoqata e Refugjatëve Hebrenj (AJR) ka theksuar se shumica dërrmuese e pasardhësve nuk dinin asgjë për dritaren e përkohshme dhe mbeten të përjashtuar.

Sipas zyrtarëve, më shumë se 500 njerëz të lindur nga prindër çekë fituan me sukses shtetësinë përpara se të skadonte amnistia në janar 2015.

Tani, shoqata po i bën presion qeverisë së kryeministrit çek Petr Fiala të miratojë një amendament të paraqitur gati dy vjet më parë nga një deputete, Karla Šlechtová, që do të jepte një amnisti të re pesëvjeçare për aplikantët e paregjistruar.

Amendamenti ngeci pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2021 që sollën në pushtet administratën e koalicionit të Fiala-s dhe është penguar më tej nga fokusi i qeverisë së re për pushtimin rus të Ukrainës.

Mes zhgënjimit në rritje, i dërguari i posaçëm i qeverisë britanike për çështjet e post-holokaustit, Lord Pickles, i shkroi kohët e fundit homologut të tij çek, Robert Řehák, duke kërkuar që gjërat të përshpejtohen.

Ndërkaq, shoqata ka marrë mbështetjen e grupeve hebreje çeke për të forcuar një përpjekje lobimi që synon të kapërcejë atë që ajo e percepton si mungesë vullneti politik.

Kufizimet janë në kontrast me zgjerimet e fundit të të drejtave të nënshtetësisë së pasardhësve në Austri dhe Gjermani, ku pasardhësit e hebrenjve në ose të zhvendosur nga Sudetenland në kohën e aneksimit të tij nga Hitleri nga Çekosllovakia në vitin 1938, mund të kërkojnë shtetësinë gjermane.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore