Shqipëria

Qeveria ballafaqohet me bashkitë për menaxhimin e mbetjeve


Forumi për menaxhimin e mbetjeve, i cili u zhvillua të premten e 30 qershorit, ballafaqoi sërish aktorët qeveritarë dhe krerët e bashkive.

Fillimisht, kryeministri shqiptar Edi Rama deklaroi se autoritetet përgjegjëse mbledhin aktualisht 90 për qind të mbetjeve.

Kjo, krahasuar me një periudhë, kur mblidheshin vetëm gjysma, pra 50 për qind.

“Kur ne e nisëm këtë rrugëtim 50 për qind e mbetjeve mbeteshin rrugëve, i merrnin ujërat, digjeshin shumë pranë zonave të banuara. Sot ne jemi në 90 për qind të grumbullimit dhe kemi akoma një sasi relativisht të vogël që mbetet e pa grumbulluar, por që duhet trajtuar si problem i madh edhe pse është e vogël”, theksoi kreu i qeverisë.

Gjatë forumit, ambasadori gjerman Peter Zingraf nënvizoi se ekonomia qarkulluese e përpunimit të mbetjeve është një nga shtyllat kryesore në rrugën drejt integrimit në BE.

“Qeveria gjermane po mbështet ndërmjet GIZ-it dhe ekonomia qarkulluese është një nga shtyllat kryesore të rritjes së shtyllës së gjelbërt në BE”, u shpreh ai.

Sipas diplomatit, me nisjen e bisedimeve për hyrjen në BE do jetë e detyrueshme integrimi drejt menaxhimit të mbetjeve.

Gjermania vlerëson, sipas Zingraf-it, se sektori i menaxhuar i mbetjeve është përmirësuar gjatë viteve të fundit.

“Niveli i mbulimit është rritur. Por nuk është mbuluar tërësisht”, vërejti diplomati gjerman.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro sqaroi se shumica e punës me mbetjet është arritur me sukses, por megjithatë ka ende punë për më tepër.

“Jemi shumë mirë, shumë pastër por jo aty ku duhet standardi në dokumentin e strategjisë kombëtare dhe në masterplanin në menaxhimin e mbetjeve”, shteroi zyrtarja shqiptare.

Sipas ministres, autoritetet ia dolën që në një vit të mbyllin rreth 15 vatra të paligjshme grumbullimi të mbetjeve.

“Kemi fituar disa beteja por jemi ende në përpjekje për të fituar luftën. Jemi larg një sistemi ku ndotësi paguan të jetë funksional”, tha në përmbyllje të fjalës Kumbaro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore