Shqipëria

Qeveria arriti ta zbusë ndikimin negativ të krizave të fundit, sipas Ibrahmajt


Me politikat e ndërmarra nga Qeveria shqiptare, është arritur të zbuten ndikimet negative të krizave të fundit.

Kështu ka shtjelluar mendimin e saj ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, gjatë një fjale të mbajtur në një konferencë të nivelit të lartë në Dubrovnik të Kroacisë, të titulluar “Politikëbërja në “ujëra të turbullta”: Nxitja e Elasticitetit në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore.

“Disktuam mbi impaktin e krizave të njëpasnjëshme që bota ka kaluar dhe efektet e krizave, se si e shohim botën në të ardhmen, se sa e rëndësishme është që të përballojmë krizat, që politikat fiskale dhe politikat monetare të jenë të ndërthurura dhe të koordinuara”, përshkroi fillimisht ministrja shqiptare.

Më tej, ajo shtjelloi se i gjithë qëllimi, është përballimi i krizave aktuale, por pa e ulur vështrimin nga çfarë pret në të ardhmen vendi.

Në konferencë, gjerësisht është diskutuar edhe mbi tranzicionin e gjelbër, nismë kjo e Bashkimit Evropian, e cila synon angazhimin e gjithë vendeve të Evropës, për të përafruar politikat me Bashkimin Evropian.

Me rëndësi të madhe sipas ministres, mbeten investimet në fushën e energjisë, por edhe vëmendja ndaj ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Këto të fundit, janë në zëmër të zhvillimit ekonomik dhe të ardhurave familjare në Shqipëri.

Mbi temën konkrete të përballimit të krizave ekonomike të ardhura prej pandemisë COVID-19, Ibrahimaj shpjegoi se ka pasur një sërë masash për të mbështetur bizneset dhe për të stimuluar ekonominë.

“E parë në aspektin social dhe politik, qoftë në mënyrë indirekte duke stabilizuar ekonominë, qoftë përmes masave më të drejtpërdrejta të synuara, politika fiskale në mënyrë indirekte ishte e dobishme për familjet e cenueshme duke ruajtur vendet e punës, nivelet e të ardhurave dhe aksesin në mallra dhe shërbime thelbësore”, theksoi ajo.

Teksa në mbyllje, përshkroi se vendet e rajonit, duhet të rindërtojnë hapësirën fiskale dhe forcojnë kuadrit e politikave fiskale për të rritur elasticitetin dhe aftësinë e tyre,  për të përballuar goditjet e mundshme në të ardhmen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore